Çfarë ndodhi brenda Gjykatës së Krimeve të Rënda, në vonesën e dhënies së vendimit për ish-ministrin e Brendshëm. Stresi i Tahirit, lodhja e prokurorëve dhe analiza për përballjen mes mbrojtjes dhe akuzës

Vendimi për Saimir Tahirin, ish-ministër i Brendshëm, ishte parashikuar të jepej në orën 16:00, por trupi gjykues e shtyu disa orë. Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi 12 vite burg për ish-ministrin, por me gjykim të shkurtuar kërkesa përfundimtare shkon në 8 vite. Tahiri akuzohet për tre vepra penale: “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.

Fati i ish-ministrit Tahiri do ta vendosnin tre gjyqtarë: Flora Hajredinaj, Ardit Mustafaj dhe Irena Gjoka. Flora Hajredinaj është kryesuesja e trupës së gjyqtarëve, e cila ka në shqyrtim dhe dosjen ndaj Klement Balilit. Ndërkohë që kjo gjyqtare ka shqyrtuar dhe çështjen e ngritur ndaj Dritan Zaganit, për të cilin ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg në mungesë”. Irena Gjoka, është gjyqtarja tjetër e treshes që po shqyrton rastin Tahiri. Ajo është e njohur në karrierën e saj për dënimin e përjetshëm të dhëne për Dritan Dajtin, autori i vrasjes së 4 policëve në vitin 2009. Ardit Mustafaj, është pjesë dhe trupës që po shqyrton edhe çështjen ndaj Klement Balilit. Ai ka marrë pjesë në vendimmarrjen, ku iu dha liria Arben Frrokut, i cili akuzohej për vrasjen e komisar Dritan Lamaj. Ndaj Ardit Mustafaj ka patur dhe një rast të kërcënimit me jetë, nëpërmjet një letre që iu hodh në banesën e tij në vitin 2012.

Tahiri

Ndërsa trupa gjykuese ishte mbyllur në dhomën e Këshillimit për të vendosur mbi fatin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ky i fundit qëndroi pothuajse shumicën e kohës në ambientet e gjykatës së Krimeve të Rënda ose pranë saj. Gazetarët që ndodheshin në gjykatë thanë se Tahiri u pa mjaft i stresuar që çështja po zgjaste kaq shumë. Ai u pa disa herë të hynte dhe të dilte për të konsumuar cigare. Për pak kohë qëndroi edhe në një nga lokalet pranë gjykatës. Ai iu tha gazetarëve në seancën e fundit se “kjo ishte beteja e jetës së tij”.

Sipas një analize krahasuese të bërë nga portali ‘Lapsi’, institucioni i akuzës nuk ka qenë në pozita të favorshme për ta hetuar këtë çështje. Në fillim ata u penguan nga mosheqja e imunitetit parlamentar nga kolegët socialistë të Tahirit. Pastaj ata që ngritën akuzën fillestare u vunë nën presionin e drejtpërdrejtë të kryeministrit Rama. Më pas kryeprokurorja e përkohshme u zgjodh me votat e PS. Por pavarësisht të gjitha këtyre, faktet janë fakte dhe provat prova. Dhe prokuroria pati shumë vështirësi për të vërtetuar pjesëmarrjen e ish-ministrit më të sukseshsëm të Rilindjes, në organigramën e një grupi të strukturuar kriminal.

Jo grup i stukturuar kriminal

Akuza: Vëllezërit Habilaj së bashku me Tahirin dhe dy vartësit e tij  Jaeld Çela dhe Gjergji Kohila janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kanë ndihmuar vëllezërit Moisi e Florian Habilaj të trafikonin drogë në Italinë fqinje. Prokuroria tregon katër episode të trafikut të kanabisit, mes vjeshtës së vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015.

Mbrojtja e Tahirit: Bie akuza për grup të strukturuar kriminal sepse në rastet që pretendon prokuroria dy policët vartës së tij nuk ishin me punë në Vlorë. Çela ishte emëruar aty pak para episodit të katërt, ndërsa Kohila pas tij, pretendon Tahiri.

I kemi përndjekur Habilajt

Akuza: Tahiri dhe vartësit e tij i kanë ndihmuar Habilajt në ushtrimin e trafikut të tyre

Mbrojtja e Tahirit: Sipas Tahirit oficerët e policisë të cilët akuzohen bashkë me të, i kishin denoncuar vëllezërit Habilaj në Prokurorinë e Vlorës dhe në një rast tek prokurori Dritan Prençi. “Ne duhet të jemi një grup i çuditshëm që punojmë si t’ia fusim njëri- tjetrit”, ka ironizuar ai në sallën e gjyqit. Tahiri sjell si argument tre raste që sipas tij vëllezërit ishin ndaluar në kufi për kontroll të imtësishëm nga policia. “Nëse ata do ishin të mbrojtur nga ministri kush do guxonte t’i ndalonte për kontroll të imtësishëm”, është mbrojtja e tij.

“Nuk jam shefi i madh”

Akuza: Trafikantët kanë dalë në përgjime duke e thërritur Tahirin shefi i madh.

Mbrojtja e Tahirit: Tahiri pretendon se kishte qenë në Bruksel në konferencë me komisionerin e zgjerimit, në të njëjtën datë që trafikanët mendohej se kishin komunikuar me të. “Në këtë rast shefi i madh mund të ishte dikush mes meje, Klajda Gjoshës dhe komisionerit për zgjerim Stefan Füle” ka thënë me ironi ai.

Hapja e librit të ministrisë

Akuza: Në një nga përgjimet trafikantët dëgjohen të thonë: “jemi me shefin e madh”.

Mbrojtja e Tahirit:Tahiri ka treguar regjistrin e hyrje- daljeve në ministri po të njëtën ditë, duke pretenduar se kishte qenë gjatë gjithë kohës në takime me krerë të tjerë të vendit për shkak të situatës emergjente të krijuar nga arratisja e disa të dënuarve në burgun e Drenovës.

Kostumet dhe bizhuteritë

Akuza: Trafikantët i kanë blërë kostume Tahirit, bizhuteri gruas dhe nënës së tij

Mbrojtja e Tahirit: Sipas Tahirit nuk është gjetuar asnjë provë për këtë. Edhe në Siçili nuk ka gjurmë të dyqaneve ku janë blerë bizhuteritë dhe kostumet. As në kontrollin e banesës nuk u gjendën gjurmë të tyre. Madje Tahiri ka ironizuar prokurorët: “Ju nuk shkuat të kontrollonit as shtëpinë e sime mëje për të vërtetuar akuzën tuaj”.

Flash Lajme