Gjykata e dënon me 5 vite burg, ose 3,4 vite burg pas gjykimit të shkurtuar, për ‘shpërdorim detyre’ dhe i jep dënim me kusht. Rrëzohen 3 akuzat e prokurorisë, si të paprovuara për trafikun e drogës

Xhentila Gjoshi

Pas 11 orëve nga nisja e seancës , në ora 09.00, Gjykata e Krimeve  të Rënda ndryshoi veprën penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjykata e dënoi me 3.4 vite burg Saimir Tahirin për ‘shpërdorim detyre’, duke e dënuar vetëm për shpërdorim detyre me 3.4 vite burg, duke rrëzuar tri akuzat e Prokurorisë. Edhe për ish drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela janë rrëzuar tri akuzat.

Gjykata pezullo dënimin me burg të Tahirit dhe e kaloi në 3 vite shërbim prove. Tahiri u dënua me 5 vite në total, por për shkal të gjykimit të shkurtuar, ai është dënuar vetëm me 3,4 vite. Në kushtet kur nuk janë marrë masa për parandalkmin e kanabizimit dhe përfshirjen e punonjës të policisë, sipas Gjykatës, duke iu referuar akteve, e vetmja akuzë që i provohet Tahirit është shpërdorimi i detyrës.

Seanca

Disa orë para se Gjykata për Krime të Rënda të jepte vendimin ndaj ish-ministrit Tahiri, avokatët e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës kanë dhënë argumentet e tyre për pafajësinë e Jaeld Çelës. Avokati Gentian Rumano kundërshtoi akuzat e ngritura ndaj Çelës për trafik të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në ndihmë të vëllezërve Moisi dhe Florian Habilaj. Ai u shpreh se Jaeld Çela nuk ka qenë funksionar në Policinë e Vlorës gjatë kohës që janë kryer tre episode të trafikut të lëndës narkotike, për të cilat akuzohet edhe ish-drejtori. I vetmi rast, tha avokati, që Jaeldi ka qenë në detyrë, është episodi i ndodhur më 09.05.2015, por edhe për këtë rast prokuroria nuk ka gjetur asnjë provë ndaj tij. “Ka qenë puna e palodhshme e këtij drejtori në luftën kundër narkotikëve. Në më shumë se 5 shkresa janë emrat e Habilajve që Jaeld Ccela i ka referuar në Prokurorinë e Vlorës. Në prokurorinë për Krime të Rënda ka referuar materiale kundër Taulant Haxhiraj”, është shprehur avokati. Ky i fundit kërkoi pafajësi për Jaeld Çelën, duke u shprehur: “Jaeld Cela nuk ka qenë fare drejtor i Policisë së Vlorës. Një episod në vitin 2013, dy episode në 2014-ën dhe episodi kryesor 9.5.2015, kur Jaeld  Çela ka qenë në detyrë, nuk ka qenë fare drejtor dhe i faturohen edhe këto fakte penale”, tha ai. Sa i përket dy komunikimeve telefonike me Florian Habilajn, vëllain e Mojsi Habilajt, avokati u shpreh: “Janë telefonata dhe mesazhe të paprovuara nga ana e prokurorisë mbi përmbajtjen. Në vitin 2014 e mbrapa është lançuar fushata nga Ministria e Brendshme që gjithë drejtuesit të kishin numrat e telefonave në ambientet e drejtorisë. Edhe Florian Habilaj mund ta ketë marrë numrin të afishuar pranë drejtorisë dhe ta ketë marrë. Telefonata ka zgjatur vetëm 37 sekonda për të cilën prokuroria nuk ka asnjë përmbajtje dhe e reklamon si provë kundër Jaeld Çelës”.

Ish-ministri

Në përfundim të mbrojtjes së bërë nga avokati i Jaeld Çelës, ish-ministri replikoi me prokurorin e çështjes Dritan Prençi lidhur me referimet dhe denoncimet e bëra ndaj vëllezërve Habilaj. Prokurori Prençi u shpreh se nuk ka marrë është e-mail nga Gjergji Kohila, ku referonte të dhëna për kultivim droge nga vëllezërit Habilaj. “Nuk e di pse unë jam i pandehur bashkë me disa policë që kanë referuar Habilajt në prokurori. Në 4 vite të detyrës sime si ministër, unë paskam qenë ndihmësi i ndihmësit tim. I nderuar zoti gjykatës, drejtësia është në dorën tuaj. Nëse gjeni një provë të vetme ndaj meje, unë iki vet në burg. Kjo çështje, është vetë jeta ime”, është shprehur Tahiri. “Kur flitet në përgjime që thonë shefi i madh, unë kam qenë bashkë me kabinetin e thirrur nga Rama në Dajt. Sigurisht që shefi i madh s’jemi as unë as Rama. Po mbahem pa asnjë provë. Akuzohem që i kam shitur makinën një personi që nuk është i pandehur as këtu as në Itali (Artan Habilaj). Thjesht është vëllai i dy njerëzve trafikantë. Po secili e ka një idiot në fis. Unë kam punuar edhe kur më kanë vënë bombat. Kur unë takoja shefin e FBI, këta trafikonin drogë. Kur unë luftoja drogën këta më vinin bomba. Por pse duhet të mbaj unë përgjegjësi për vëllezërit e personit që i shita makinën, kur këtu ka njerëz që nuk mbajë përgjegjësi për vëllezërit e tyre?”, tha Tahiri.

Pretenca

Një javë më parë, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi 12 vjet burg për ish-ministrin, ndërsa është mbështetur në një sërë përgjimesh mes anëtarëve të grupit kriminal. Duke analizuar përgjimet, akuza ka dalë në përfundimin se nga bisedat kuptohet që ata kishin mbështetjen e Policisë së Vlorës. Por, përgjimet u panë me skepticizëm nga Saimir Tahiri, i cili tha se Prokuroria nuk ka bërë asnjë veprim për verifikimin e vërtetësisë së këtyre përgjimeve dhe në asnjë rast nuk vërtetohet se trafikantët janë duke folur për të, apo edhe për ndonjë nga Policët. Nga përgjimet e lexuara ishte edhe një ku dëgjohet, sipas Prokurorisë, një trafikant duke folur me ish-policin Gjergji Kohila. “Mesazhet e shkëmbyera ndërmjet komunikuesve ‘Agushi’ dhe ‘Fiati’ (ky i fundit përdorej nga Gjergj Kohila) tregojnë dhënien e informacioneve nga ky i fundit, për hetimet e kryera, konkretisht: ‘Agushi: O vlla si je, ca bëhet?

Po lëviz, vllai, nëpër Vlorë, po thjesht me familjen, s’bëj asgjë, të dal normalisht vlla… se janë hap llafe, janë prerë ca urdhër arresti, vlla, për mua, atë kushëririn tim, e ca çuna të tjerë… apo llafe Vlore? Fiati: Unë s’di gjë vëlla. Por duhet të ketë prova që të priten urdhra arresti. Ju kanë kapur gjë!? Po s’ka prova, s’ka urdhër arresti. Njerëzit ju dinë në burg. Po me këto intriga që bëre ti me atë timin, çuditen kur ju shohin jashtë. Agushi: Ca intriga bëra unë, o vlla?! Vetëm un s’bëj intriga. Të përshëndeta qëparë, s’më pe. Mua ma bënë intrigën, më morën në qaf, po varja o vlla, po të jetë ndonjë gjë, më thuaj të ndërhyjë. Në Tiranë kam njerëz. Po ç’ne na dinë në burg ne, ca kemi bërë apo baçja jonë, ne përballë i kishim, dhe është me 100 mijë rrënjë, nuk i shikojnë, kjo jona dukej! Hahhahaha. Fiati: Hahahahaha Agushi: 0 vlla, të rri vllai i qetë në shtëpi, se vetëm te llafi jot kam besim. Fiati: Ri o vëlla. Unë kam sjell atë timin në punë. Po nuk është se dukej baçja. Dukeshit ju më shumë se baçja. Sikur kishit 200 mijë. Agushi: Ok vlla, ore të pyes ty unë, pa atë se pyes më unë, varja iku ajo, rëndësi ka të jemi të qetë tani, vlla”, thuhet në dosje.

Trafiku

Prokuroria tha se Tahiri dhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaled Çela, janë nën akuzë për 4 raste të trafikut të drogës. Duke iu referuar pretencës, bëhet fjalë për rastet e kapura më 25 tetor 2013, 27 shkurt 2014, 29 korrik 2014 dhe episodi i katërt më 09 maj 2015. Në lidhje me këtë pretendim të organit të akuzës, Tahiri bëri një mbrojtje të gjatë, duke e konsideruar si pikën kyçe, ku edhe Prokuroria duhet të kishte saktësuar rolin e tij. “Në asnjë rresht të pretencës nuk dëgjova rolin tim në rastet e trafikut, çfarë kam bërë unë që jam pjesë e grupit”, tha Tahiri. Prokuroria pretendon se nëpërmjet funksionit që ka pasur, ish-ministri mund të ketë ndikuar në fikjen e radarëve që të mos konstatoheshin dhe goditeshin rastet e trafikut, por për Tahirin ky dyshim rrëzohet.

Radarët

“Prokuroria pretendon se janë fikur radarët dhe pse nuk ma atribuon direkt mua, e lë të kuptohet që mund ta kem bërë unë. Por kjo nuk qëndron, dua të theksoj se unë i kam dërguar shkresë sekrete Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me mosfunksionimin e radarëve. Këtë e kam bërë pak pasi erdha në detyrë. Si thoni ju, se si pjesë e këtij grupi unë do punoja kundër tij? Nëse unë i kam mbështetur ata, do të kërkoja vënien në punë të radarëve?!”, është shprehur Tahiri. Sipas tij, ai ka dërguar 6 shkresa në Ministrinë e Mbrojtjes për vënien në punë të radarëve, pasi kishin konstatuar se mosfunksionimi e tyre po përdorej nga trafikantë.

Grupi

Prokuroria pretendon se grupi kriminal i Habilajve ishte i paprekshëm dhe se këtë paprekshmëri e kishin siguruar nga lidhjet që kanë pasur me ish-ministrin dhe funksionarët e Policisë lokale në Vlorë. “Nga hetimi ka rezultuar e provuar se anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Nezar Seiti, Armand Kocerri, Sabaudin Çelaj, Tigrens Mezuraj, Fatmir Minaj, Maridian Sulaj, Armando Sulaj, janë ndihmuar dhe mbështetur në aktivitetin e tyre kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike, nga ana e funksionarëve të lartë të Policisë lokale Vlorë, si dhe të të pandehurit Saimir Tahiri me cilësinë e ministrit të Brendshëm”, tha Prokuroria. Duke iu përgjigjur Prokurorisë, Saimir Tahiri, solli si provë, me qëllim për të vërtetuar se mbështetja që pretendohet se kishte ky grup nuk është e vërtetë, të paktën jo nga ai: “Në vitin 2013, kur unë kam qenë ministër i Brendshëm, Moisi dhe Florian Habilaj janë proceduar penalisht për ‘Vetëgjyqësi’ dhe ‘Heqje e lirisë pa të drejtë’. Edhe në vitin 2014, Florian Habilaj është proceduar sërish për akuzën e ‘përdorimit të një makine të vjedhur’ në vendet e Bashkimit Evropian. Nëse do të kishin mbështetjen e ministrit të Brendshëm, si ka mundësi që Polica në çdo rast ka bërë punën dhe referuar në Prokurori këta persona? Mendoni se po të kishte një mbështetje të tillë nga unë, do të referohej nga një polic i thjesht për një vepër të lehtë penale?!”, tha Tahiri.

Kundërakuza

Ndërsa u akuzua se mbrojtja që Habilajt kishin nga ai dhe policët në Policinë e Vlorës, kishte bërë që ata të mos referoheshin dhe viheshin nën hetim, ish-ministri Tahiri tha se kjo nuk ishte e vërtetë dhe se edhe referimi për procedimin ku ai është marrë i pandehur, është referuar nga Jaeld Çela. “Në momentin që policët i kanë referuar këta persona në Prokurori, edhe në atë të Krimeve të Rënda, mos duhet të aludojë unë se prokurorët kanë bashkëpunuar me ta duke mos bërë punën e tyre”. Tahiri pretendoi se janë 5 shkresa të firmosura nga Jaeld Çela për shkatërrimin e parcelave që supozohet të ishin kultivuar nga Habiljat dhe në të 5 shkresat janë referuar këta persona me emra. Edhe referimi për këtë procedim, sipas Tahirit është bërë nga Policia e Vlorës. Gjatë seancës, ish-ministri theksoi një email që polici Gjergji Kohila, që është i bashkëpandehur me të, i ka dërguar prokurorit Dritan Prençi. “Një ditë para regjistrimit të procedimit për Moisi Habilajn, Dritan Prençi ka marrë një e-mail ku referoheshin Habilajt. Këtë e-mail e ka nisur Gjergji Kohila. Kështu i bie që ne si bandë kemi denoncuar njëri-tjetrin përditë. Si mund të ndodhë që një anëtar i bandës ka denoncuar grupin dhe është marrë i pandehur? Kur Prokuroria mendon se unë i kam dhënë mbështetje, atëherë edhe unë mund të pretendoj se këta persona që janë referuar 4 herë nga Policia në Prokurori janë mbrojtur nga këta vetë”, tha Tahiri.

Ministrat

Gjatë seancës ku u dha pretenca, nuk mbetën jashtë edhe deklarata që prekën emra të njohur të politikës në vend, deri edhe te Kryeministri Edi Rama. Ndërkohë që në mbrojtjen e tij, Saimir Tahiri tha se nga hetimet e Prokurorisë nuk ka rezultuar asnjë pasuri jashtë vendit në emër të tij dhe familjarëve apo të afërmve të tij dhe se janë verifikuar edhe hotelet ku ka qëndruar kur ka shkuar jashtë. “Unë kam qëndruar në hotele që maksimumi shkonin në 140 euro nata, jo si kjo tjetra që doli me 900 euro”, tha Tahiri në Gjykatë, duke iu referuar akuzave të fundit për ministrat e qeverisë. Këtë thënie e shpjegoi edhe jashtë për mediat, ku tha se kjo nuk ishte kod, pasi ishte treguar shumë i drejtpërdrejtë.

Edi Rama

Në pretencë renditeshin edhe përgjimet e autoriteteve italiane, ku Moisi Habilaj dhe anëtarë të tjerë dëgjohen të flasin për ish-ministrin, ndërsa diskutojnë se sa shpenzon ai për fushatë dhe dhuratat që pretendojnë se janë blerë për të dhe familjarë të tij. “Të dy flasin për një person me pushtet me emrin “Saimir Tahiri”, njeri i politikës. Moisiu thotë: Çfarë ka më shumë se ne ai? Por Sabi (Sabaudini) i përgjigjet duke i thënë që Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës, pozitës), por nuk beson që ka më shumë para se ata. Moisiu bën llogaritë, sipas të cilave Saimiri në një muaj ka bërë minimumi 5 milionë euro. Sabi i thotë që të gjitha ato para ai i harxhon në fushatën elektorale. Por Moisiu ia kthen duke i thënë se atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë në një fushatë elektorale”, thuhet në dosje. “Këto janë biseda fare banale, dinë ata sa unë shpenzoj për fushatë dhe paskam shpenzuar 20 mijë euro, po nëse edhe prokurorët e besojnë këtë, atëherë duhet të kishin hetuar duke filluar nga Edi Rama dhe çdo person tjetër pas se nga vijnë këto para”, pohoi Tahiri, duke mos zgjedhur të komentojë më shumë. Në përgjime flitet edhe për blerjen e një kostumi “Hugo Boss” për ish-ministrin, për të cilin ky i fundit tha me ironi se kjo ishte absurde dhe se nuk mund të ndodhte që “të shkulet një ministër i Brendshëm të shkojë në fund të botës, ku është Katania, për një kostum”.

“Mesazhet e shkëmbyera (në datë 16.04.2016) nga komunikuesit Aliej dhe “Agushi” (Taulant Haxhiraj), tregojnë se ky i fundit ka marrë garanci nga strukturat e shtetit për të gjetur toka në zonën e fshatit Kuç, Vlorë, për kultivimin e bimëve narkotikëve, konkretisht: Aliej: Andej, me garanci ta morën përsipër, vëllaa? Agushi: Po ma morën vlla. Aliej: Apo në ajër?! Agushi: Po s’ka garanci, të saktë fare. Thanë kaq pak do i mbroj?! Aliej: Po të vëmë më, ka vend për të mëdha? Agushi: Po të saktë fare s’e kam, se mos i lëvizin? Aliej: Vlla, je marr vesh, vëlla. Agushi: vlla, vend ka po akoma s’kanë marr garanci ata kushot e ministrit…dhe të bëj garantin e të dal ndryshe, vlla. Aliej : Të marr vesh, vlla”, lexuan prokurorët. Nga ana tjetër, ish-ministri Saimir Tahiri tha se pavarësisht se Prokuroria i lë të nënkuptuara dhe nuk ia atribuon atij dhe Jaeld Çelës direkt, sërish dyshimet nuk i ka të provuara se shefi i madh apo kushëriri është ai, pasi nuk është bërë asnjë verifikim në drejtim të kësaj.

“Taulant Haxhiraj, i cili rezulton në përgjime të ketë thënë se ‘nuk kanë marrë akoma garanci ata kushot e ministrit’, nuk është marrë asnjëherë në pyetje”, tha ish-ministri. Sipas këtij të fundit, një veprim i tillë në funksion të hetimeve duhet të ishte bërë nga Prokuroria, pasi në asnjë rast nuk vërtetohet se është ai, sepse mund të ishte edhe ndonjë person tjetër, një tjetër ministër nga Vlora. “Nga e dinë prokurorët që kushëriri i ministrit, bëhet fjalë për mua, mund të ishte për ndonjë tjetër ministër nga Vlora, që ka prona atje”, shtoi Tahiri. Në mbrojtjen e tij, Tahiri u është futur edhe analizave të fjalive. “Edhe vetë fjalia e përdorur nga personi që është përgjuar nuk tregon asgjë. Ai thotë se ‘nuk kanë marrë garanci akoma kushot e ministrit’. Kjo fjali nuk tregon se ata do të marrin garancinë nga dikush lart, apo vetë kushëriri i tyre. Nëse do të ishte kështu, fjalia do të duhej të ishte ‘nuk kanë marrë garanci akoma kushot nga ministri’, tha ai.

Dëshmitë

Në pretencën e Prokurorisë janë renditur edhe një sërë dëshmish, që sipas Akuzës vërtetojnë njohjen e ish-ministrit me Habilajt. Udhëtimi për në Greqi në verën e vitit 2014 me makinën “Audi” është parë me detaje nga Prokuroria për Krime të Rënda. Në pretencë janë zbardhur të gjitha lëvizjet e ish-ministrit, bërë në shtetin grek, dhe më pas të gjitha lëvizjet e skafit, që sipas Prokurorisë, një muaj më vonë është marrë nga Moisi Habilaj për t’u rregulluar në një servis në Itali. Këto dëshmi, sipas organit të Akuzës, vërtetojnë marrëdhënien e ish- ministrit Tahiri me kushërinjtë e tij, megjithëse ai ka thënë se janë të largët. Gjatë ditës së djeshme u lexua edhe një dëshmi e një oficereje Policie, e cila rezulton se ka udhëtuar jashtë me Moisi Habilajn disa herë. Ajo ka shpjeguar se Habilaj i ka thënë se kishte mbështetje të fortë në kryeqytet, por sa herë i përmendej emri i Saimir Tahirit, ai acarohej sepse mendonte që pyetjet ishin tendencioze.

Flash Lajme