Një person ka mbetur i vrarë mëngjesin e sotëm në Kavajë, ndërsa një tjetër është plagosur. Sipas të dhënave paraprake dyshohet se krimi i rëndë ka ardhur pas një sherri të ndodhur në banesën e një gruaje në lagjen numër 2 të qytetit.

Raportohet se një prej personave ka shkuar në orët e para të mëngjesit në banesën e ish-të dashurës për t’u sqaruar pasi ishin ndarë. Mes tyre ka pasur një debat dhe vajza ka thirrur në ndihmë një të afërmin e vet që punon polic burgjesh. Në konflikt e sipër polici i burgjeve ka vrarë ish-të dashurin e vajzës me armën e shërbimit si edhe vetë ka mbetur i plagosur.

Mësohet se viktima ka shkuar i armatosur në shtëpinë e ish-të dashurës rreth orës 02:00 të natës për t’u sqaruar pasi ishin ndarë.

Ai ka qëlluar me armë sapo ka hyrë në banesë, ku ndodhej edhe polici i burgjeve i thirrur nga vajza. Ky i fundit është kundërpërgjigjur duke qëlluar me armën e shërbimit. Vetë polici ka mbetur i plagosur, ndërsa ish-partneri i gruas në fjalë ka humbur jetën.

Gjithsesi policia ka marrë në pyetje gruan e re por edhe policin për të zbardhur të plotë ngjarjen që tronditi Kavajën mëngjesin e sotëm.

Flash Lajme