Eurodeputetja e Suedisë, Arba Kokalari, e cila është me origjinë shqiptare, ka kërkuar nga shteti i saj që të ndikojë që shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian të hapin negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Këtë javë, ministrat e BE-së do të mblidhen për të vendosur nëse BE duhet të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Franca, midis të tjerëve, është frenuese. Suedia duhet të shtyjë ministrat e BE-së që t’i thonë ‘po’ hapjes së negociatave. Ne duhet të vazhdojmë të shtyjmë qeveritë që të zbatojnë reformat demokratike”, thotë Kokalari. Ndonëse jep mbështetje për negociatat, deputetja e Parlamentit Evropian thekson se “asnjë vend nuk duhet të bëhet anëtar i BE-së pa arritur kërkesat për demokraci, luftë ndaj korrupsionit dhe forcim të sundimit të ligjit”. “BE-ja duhet të rrisë kërkesat për demokracinë dhe të ketë kufij të qartë në atë që aplikohet në shtetet e BE-së. Por BE gjithashtu duhet të ndihmojë vendet e Ballkanit që ato të ndihmojnë vetëveten. Me demokraci të lira dhe të qëndrueshme në Ballkan, ne do kemi një Europë më të lirë dhe të sigurtë”, shprehet eurodeputetja.

Flash Lajme

Më të lexuarat