Ndërtimet e palegalizueshme zënë afërsisht 29% të totalit, ndërsa ligji nuk u jep zgjidhje procedurale. Agjencia e Kadastrës do të ndërhyjë në nenet që lidhen me afatet dhe koordinatat e zonat e ndërtimit

Agjencia e Kadastrës po bashkëpunon me Qeverinë dhe Kuvendin për përshtatjen e ligjit, për zgjidhjen e problematikave të atyre që nuk munden të legalizojnë objektet e tyre. Kreu i Agjencisë së Kadastrës, Artan Lame e ndau këtë si lajm të mirë, duke marrë parasysh se edhe pse një numër objektesh arritën të legalizoheshin, ky proces nuk i përfshiu të gjithë, pikërisht për shkak të problematikave. “Zall Herri është një njësi administrative që ka pasur 1310 ndërtime pa leje, shenjë e qartë që juve ju ka ngrënë duart për punë dhe keni bërë goxha punë, sepse 1310 shtëpi nuk janë pak. Nga ana tjetër kuptohet dhe për drejtorinë ishte një punë kolosale përfundimi i këtij procesi.Ka qenë një punë e madhe, mbeten edhe një numër i vogël, por sidoqoftë i rëndësishëm, që nuk legalizohen dot për shkak të ndërtimi jashtë afatit, ose për shkak të vendit të ndërtimit që mund të bie buzë rrugës, buzë lumit, pra në vende ku ligji e ndalon legalizimin” theksoi Lame.

Të palegalizueshmet

Procesi i legalizimit dhe integrimit të zonave informale nisi zyrtarisht në vitin 2006, vetëm pak muaj pas ardhjes në pushtet të qeverisë së djathtë të kryeministrit Sali Berisha. Legalizimet ishin gjithashtu një ndër kuajt kryesorë të betejës së Partisë Socialiste në rrugën e saj drejt pushtetit në vitin 2013; kur u premtua përmbyllja e procesit dhe legalizim falas për të gjitha objekteve informale. Të dhënat e fundit tregojnë megjithatë se procesi u zvarrit përgjatë 12 viteve dhe mijëra familje në Shqipëri nuk e kanë zgjidhur ende çështjen e tyre të pronësisë. Një raporti statistikor i institucionit, tregon se nga viti 2006 deri në vitin 2013 u grumbulluan aplikime që përfshijnë 323,082 objekte në të gjithë Shqipërinë. Nga këto, ALUIZNI ka shpërndarë 166,745 leje legalizimi deri në fund të vitit 2018, duke i dhënë përgjigje pozitive vetëm 51% të aplikuesve. Mbi 94 mijë objekte ose 29% e totalit janë klasifikuar të palegalizueshme, por fati i tyre mbetet ende i paqartë. Në proces mbeten ende edhe 62,206 objekte për t’u legalizuar, të cilat përfshijnë 19% të numrit total të aplikimeve. Tirana, qyteti më numrin më të lartë të ndërtimeve informale në vend ka legalizuar rreth 6466 objekte në vitet 2006-2013 dhe 42 639 objekte gjatë viteve 2014-2018. Megjithatë, rreth 90% e lejeve të shpërndara gjatë qeverisjes së Berishës i përkasin harkut kohor mes dy fushatave elektorale të viteve 2011-2013, ndërsa gjatë qeverisjes aktuale, rreth 60% e banorëve të rinj të kryeqytetit u legalizuan mes dy fushatave elektorale 2015-2017. Durrësi, qyteti i dytë me numrin më të lartë të ndërtimeve informale ndjek të njëjtin trend. Gjatë viteve 2006-2013 në këtë qark u shpërndarë 2728 leje legalizimi, ndërsa në vitet 2014-2018 u shpërndanë 30 447 leje ose 11-fish më shumë. Por përtej diferencës në shifra, administrata “Berisha” rezulton të ketë shpërndarë rreth 90% të lejeve në Durrës përgjatë fushatave 2011-2013; ndërsa mbi 70% e lejeve të shpërndara nga administrata “Rama” i përkasin viteve 2015-2017. Ndërkohë që dhjetëra mijëra banesa presin ende të legalizohen në periferi, Agjencia Kombëtare e Kadastrës ka nisur një tjetër fushatë për apartamentet e pahipotekuara në zemër të qyteteve të mëdha. Sipas Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, mbi 30 mijë apartamente të ndërtuara gjatë dy dekadave të fundit nuk janë hipotekuar ende në të gjithë Shqipërinë, për faj të ndërtuesve, që sipas saj kanë shkelur fillimisht lejet e ndërtimit dhe që më pas kanë braktisur godinat pa përmbyllur ende procedurat. Numri më i lartë i pallateve me probleme është në Tiranë me 1230 të tilla. Në pamundësi për t’i zgjidhur problemet e mbartura me kompanitë ndërtuese, Kadastra u ka bërë thirrje banorëve që të bëhen bashkë, të zgjedhin një përfaqësues dhe të plotësojnë një listë të gjatë me 13 pika, për të legalizuar dhe më pas hipotekuar apartamentet e tyre. Por lista përmban dokumente që i tejkalojnë pronat e banorëve, të tilla si leja e ndërtimit e miratuar nga organet e qeverisjes vendore, një akt-ekspertizë për qëndrueshmërinë e pallatit si dhe projektin e gjendjes ekzistuese të godinës.

Flash Lajme