Për të rritur ndërgjegjësimin në luftën kundër Kancerit të Gjirit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale organizoi mbrëmjen e se dielës Festivalin Rozë. Nën sloganin “Le të veprojmë së bashku për të mposhtur kancerin e gjirit”, nismës së Ministres Ogerta Manastirliu i janë bashkuar edhe Ministret, Elva Margariti dhe Etilda Gjonaj.

Trupa e baletit e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, shoqëruar nga balerinat e vogla përformuan “Arrëthyesin” ndërsa këngëtarja Marsela Çibukaj këndoi live, duke ju bashkuar kështu fushatës së Ministrisë së Shëndetësise, “Tetori Rozë”, për luftën kundër kancerit të gjirit.

“Është shumë e rëndëishme të kujdesemi për veten”, ka thënë kënëgatrja Çibukaj para performancës së saj. “Unë kam eksperiencën time personale, me familjarët e mi. Vitin e kaluar e kam kaluar në spitale dhe e di se sa e rëndësishme është të ndërgjegjësohemi, se sa rëndësi kanë kontrollet dhe kapja në kohë e sëmundjes”.

Gjithashtu duke theksuar rëndësinë e programeve të parandalimit, Ministrja Manastirliu tha se do të nisë nga viti i ardhshëm Programi Kombetar i konsoliduar për depistimin e kancerit të gjirit, duke e bërë mamografinë shërbim të detyrueshëm për gratë mbi 50 vjeç.

Jonilda Mehmeti, një nënë e re, e cila po lufton me sëmundjen e rënde emocionoi me apelin e saj, drejtuar çdo gruaje për të bërë kontrollet në kohë. “Ndonjëherë ne gratë neglizhojmë vetën, por e kemi për detyrë të kontrollohemi sepse edhe nëse për veten nuk bëjmë kujdes, duhet ta bëjmë për fëmijët tanë që të kenë mundësi të rriten me nënën pranë”, tha 34 vjeçarja.

Festivali rozë pati pjesëmarrje të gjerë. Fushata e ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vazhdon përgjatë gjithë muajit tetor.

Flash Lajme