Në Tiranë, dy prokurorë të prokurorisë së kryeqytetit kërkuan sot dërgimin në gjyq për “Falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve” kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani dhe zotin Ilir Dervishi.

Në të njëjtën kohë prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergj Tako paraqitën një kërkesë për pushimin e akuzës për pastrim të produkteve ose veprimtarisë kriminale.

Ata publikuan një dokument me dy firmat e tyre lidhur me këto hetime, ku mungonte firma e pjesëtarit të tretë të grupit hetimor.

Kërkesa mësohet se gjendet ende brenda institucionit të prokurorisë dhe nuk është nisur ende drejt gjykatës për arsye administrative.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u thirr nga prokuroria 6 muaj më parë në cilësinë e të pandehurit për t’u njohur me akuzën lidhur me hetimin e nisur për pagesat e bëra për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zoti Basha ka bërë përgjegjës kryeministrin Rama që, sipas tij “me metoda putiniane, ka vendosur të hapë hetime kundër tij, me akuza qesharake, të sajuara keq nga prokuroria e tij politike”.

Partia Demokratike publikoi një deklaratë të premten në mbrëmje, ku theksoi se “prokuroria pushoi akuzën qesharake të sajuar në zyrën e Edi Ramës për të
goditur kundërshtarin politik, e cila u mbajt hapur 2 vjet për të zhurmuar
skandalet korruptive të qeverisë së tij dhe lidhjet me krimin e organizuar. Por tani vërtetua se nuk ka patur kurrë asnjë hetim në SHBA ndaj PD” – thuhet në deklaratën e saj.

Ndërsa Taulant Balla, një nga drejtuesit kryesorë të Partisë Socialiste deklaroi se hetimet ndaj zotit Basha duhet të kryhen nga SPAK, Prokuroria Speciale e Anti-Korrupsionit, që pritet të ngrihet së shpejti. Ai tha se zoti Basha nuk mund ta kalojë aq lehtë akuzën për pastrim parash dhe të mbetet vetëm te falsifikimi i dokumentave.

“Teksa shqiptarët presin të ngrihet SPAK, është papranueshme që prokurorë të caktuar të bëjnë amnisti për vepra penale kaq të rënda. Gjykata nuk duhet ta pranojë dhe duhet ta rikthejë për hetim” – shkroi zoti Balla në rrjetet sociale.

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e vitit 2017, kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë.

Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga zoti Basha, të jetë paguar nga partia e tij. Partia Demokratike nuk ka pranuar asnjëherë lidhjet me firmën ‘Biniatta Trade LP”./VOA

Flash Lajme