Policia zgjeron hartën e personave të dyshuar ndaj atentatit të prokurorit. “Juli i Pashakos”, lushnjari me precedentë penalë është thirrur për të dëshmuar. Flet për mediat: Sapo u ktheva nga Kosova, nuk kam lidhje

Diamila Leka

Një emër mjaft i njohur për Policinë Shqiptare, por edhe në botën e krimit në vend, është në listën e të dyshuarve në atentatin e bërë ndaj prokurorit Arian Ndoja. Ngjarja ndodhi një javë më parë tek mbikalimi i Shkozetit, ndërsa emri i përfolur është Julian Sula, ndryshe i njohur edhe si “Juli Pashakos”. Ky i fundit është shpallur në kërkim nga Policia si person që mund të ketë dijeni për ngjarjen ose mund të jetë i përfshirë në atentat. Sula nuk iu është përgjigjur kërkesës së policisë për të sqaruar rrethanat në atentatin e së premtes, teksa ka dyshime se janë gjetur gjurmë të tij në automjetin e sekuestruar në Shkafan të Ishmit. Ndërkaq, dyshimet e policisë janë se “Juli i Pashakos” mund të fshihet në zonën e kënetës, ku policia kontrolloi edhe një banesë që dyshohet se përdorej si bazë nga personat me rekorde kriminale. Po ashtu dyshohet se kjo shtëpi, pak para se të zhvillohej kontrolli i FNSH-së, ishte pastruar, duke bërë të mundur largimin e të gjitha mjeteve që shërbejnë për kryerjen e një atentati. Ndërkaq, në orët e para të ditës së djeshme, Forcat operacionale zhvilluan një aksion ‘blic’ në qytetin e Peqinit. Nga qelizat telefonike ka rezultuar se dy persona të tjerë që vijojnë të qëndrojnë në arrati të jenë lokalizuar në atë zonë por operacioni rezultoi pa sukses. Nikla e Fushë-Krujës është një nga zonat e cila mbahet nën vëzhgim të rreptë për 24 orë pasi dyshohet se fshihen persona me rekorde të theksuara kriminale nga qyteti i Shkodrës. Gjatë kontrollit të ushtruar, policia nuk ka gjetur ndonjë provë të fortë përpos disa jelekëve anti-plumb, thika dhe një automjet të blinduar. Durrësi dhe Shkodra janë zona të tjera ku kryhen operacione të njëpasnjëshme.

Kush është Julian Sula?

Në pranverën e vitit 2010 Julian Sula me shokë kanë grabitur nën kërcënimin e pistoletës makinën e një shtetas në rrugën Fier-Lushnje. Së bashku me dy të tjerë, Sula i ka drejtuar armën pronarit të makinës duke i kërkuar që të ndiqnin udhëzimet e tyre. Ata kanë ecur disa kilometra duke e zbritur pronarin e mjetit për të vazhduar pastaj vetë me automjetin tip “Fuoristradë”. Ndërkohë, në qershorin e vitit të shkuar, Sula është goditur 10 herë me thikë në një lokal bastesh nga Arjan Aliço, i njohur si person i afërt me bandën e Aldo Bares. Gjithashtu emri i tij është përmendur edhe në masakrën e Lushnjës një vit më parë ku mbetën dy të vrarë, Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi dhe dy të plagosur. Dyshohet se personi i tretë që ishte në makinë me Laert Haxhiun dhe Orges Bilbilin ka qenë pikërisht Julian Sula. Sula u godit me thikë nga Aliço pas sherrit me djalin e këtij të fundit gjatë ndeshjes, Shqipëri-Zvicër në një lokal bastesh. Ai mbeti i plagosur rëndë duke u sjellë me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranës në gjendje kritike për jetën. Pas ngjarjes Sula u vetëdorëzua në polici dhe më pas u la i lire.

Sula është befasuar nga lajmi se po ndiqej nga policia dhe është shfaqur gjatë mbrëmjes në media, duke deklaruar në disa TV, se nuk e njeh 34-vjeçarin Redjan Rraja, ndërsa ka thënë se paratë që i janë konfiskuar pak kohë më parë i kishte marrë borxh nga familjarët e tij për një operacion që do të kryente në Turqi.
Keni njohje me Redjan Rrajën?
Jo

Po për paratë që iu janë konfiskuar?
“Lekët i kisha mbledhur borxh, i kisha marrë borxh nëpër motra, vëllezër e kushërinj, për të bërë operacionin në Turqi, më thanë për 100 mijë euro.

Mjeti thanë se kushton 100 mijë euro …
Mjeti bën 10 mijë euro, e ka në letra.

Po sa i përket operacionit në Turqi?
Nuk më dhanë garanci, më thanë të shkoja në Rusi, se atje është një doktor më i mirë. Jam shumë keq nga mushkëria. Nga plagosja që më është bërë dhe kam nevojë për ndërhyrje.

Nga dokumentet vërtetohet se më 1 nëntor keni qenë në …?
Kam qenë në Kosovë, në aeroport, për të ikur në Turqi për të bërë analizat.

Si ndjehesh kur policia ushtron kontrolle në banesë herë pas here?
Terror, si të ndjehem, ndjehesh mirë me terrorin. Këto janë biletat që kam ikur nga Kosova për në Turqi. Këtu janë pasaportat. Ja vulat e Stambollit, Kosovës.

Aktualisht jeni i kërkuar apo jo?
S’jam i kërkuar. Unë sot hyra nga dogana e Hotit. Erdha nga Turqia në Kosovë dhe pastaj në Shqipëri. Kur erdha këtu fola me avokatin dhe më tha që do interesohet. Mori shefin e komisariatit dhe i tha që këtu në Lushnje nuk është i kërkuar. Mori drejtorin e qarkut dhe ai i kishte thënë që s’ka problem, është i pastër.

Ju këtë intervistë e keni kërkuar për …

Për të sqaruar opinionin. Unë s’kam lidhje, një e di dhe Juli, Juli, nuk e di kush i bën këto gjëra. Më fusin në hasmëri me tjerët, më kanë hapur shumë probleme. Edhe me familjen, goca vuan  nga këmba, grupi i gatshëm që vjen e bën kontrolle, ngrij gocën, nusen. Çdo gjë, një më dy te shtëpia ime, na kanë terrorizuar.

Juli, cili është apeli juaj?

Janë gjëra koti, koti. S’kam lidhje fare me asnjë lloj gjëje. Unë jam i sëmurë. U plagosa, më plagosën, asnjë gjë s’është kapur dhe më ngatërrojnë me gjëra tjera. Çështjen time s’e kanë zgjidhur akoma.

Flash Lajme