Anëtari kryesisë së Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku ishte i ftuar në studion e lajmeve të Fax News ku temë e bisedës ishte rënia e Murit të Berlinit që çoi në bashkimin e dy Gjermanive, si dhe krahasimin e post-nazizmit në Gjermania me post-komunizmin në Shqipëri.

Çollaku tha se bashkimi i gjermanive ishte një frymëzim i madh për bashkimin tonë kombëtar, ndërsa argumentoi se në këtë kohë lindi dhe u tha për herë të parë me zë kjo çështje në Shqipëri dhe Kosovë.

“Bashkimi i dy Gjermanive është një frymëzimi madh për bashkimin kombëtar shqiptar. Vetëm me shembjen e Murit të Berlinit në Shqipëri dhe Kosovë filloi të flitej hapur për bashkimin kombëtar. Europa është dhe vazhdon të mbetet një aspiratë për Shqipërinë. Vazhdon të mbetet si një energji dhe aspiratë, si një pikë reference për organizimin tonë shoqëror. Muri i Berlinit ishte një mostër e ngritur për shkak të “Luftës së Ftohtë”. Ai ndante në mes në dysh një shtet të vetëm”, tha Çollaku.

Ai foli edhe për mënyrën se si u menaxhua rënia e komunizmit në Shqipëri dhe mbizotërimi i figurave të komunizmit edhe në sistemin demokratik, ndërsa nuk la pa përmendur edhe portretet e vendosura në Bulevardin e Tiranës.

“Nëse ka një përgjegjësi është duke konceptuar se komunizmi u rrëzua, le ti falim, nuk pati asnjë rast hakmarrje, një akt revanshi, kjo ishte një sjellje fisnike, por kjo sjellje fisnike nuk duhej të shtrihej edhe në politikë, sepse shumë funksionar të Partisë së Punës hoqën emrat nga dosjet që i përfshinin. Në Tiranë kemi tabela ku janë vendosur edhe vrasës e kriminel të sigurimit të shtetit. Janë varur disa prej atyre që heronj i ka shpallur Enver Hoxha, asnjë heroizëm nuk kanë bërë përveçse kanë vrarë e shfarosën shqiptarët. Heornj mund të jenë për Partinë e Punës dhe Sigurimin e Shtetit, por jo të jenë heronjë për në vrasës e kriminel, pinjoll të sigurimit”, tha Çollaku.

Ndërkohë ai foli edhe për një model të rrezikshëm të kriminalitetit në Shqipëri, ku është kopjuar dhe më e rrezikshmja kishte të bënte me faktin se kush e drejton atë në vendin tonë sipas tij.

“Pas rënies së BRSS, 40% e anëtarëve të KGB-së, njerëz të përfshirë në struktura kriminale u aktivizuan në organizatën më të rrezikshme në botë, që është mafia ruse sot. Shikoni kush janë grupet që drejtojnë kokainën dhe drogën në Shqipëri, nipi i Enver Hoxhës me laborator droge, dhe njerëz të tjerë që janë bijtë e etërve që kanë eksperiencë në ish-sigurimin shtetit, e ngjashme me mafien më të rrezikshme në botë, model i mafies ruse që është kthyer në shembull që ndiqet nga mafia shqiptare. Janë të njëjtët njerëz, të ricikluar por të njëjtët njerëz”, tha Çollaku në Fax News.

Flash Lajme