Thellohet më tej fraksioni Rama-Kurti. Kreu i VV-së kritika të forta  kryeministrit shqiptar për marrëveshjet në Novi Sad dhe Ohër. Për kryeministrin e ardhshëm, projekte të tilla, Shqipëria duhet t’i nisë me Kosovën,jo me Serbinë

Erjon Dervishi

Kosova është një nga vendet e cila nuk ka marrë pjesë në projektin e tre liderëve të Ballkanit Perëndimor, për krijimin e Mini-Shengenit në Ballkan. Një përgjigje për këtë çështje ka dhënë dje kreu i lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti. I pranishëm në një eveniment në Prishtinë, Z Kurti, vuri në dukje se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, projekte të tilla duhet ti bëjë në bashkëpunim me Kosovën. Kurti thekson se “Një lloj vrapi në Novi Sad dhe në Shkup, është gabim në hapa. Nuk nis me Serbinë kjo punë. Nis Kosovë-Shqipëri, vazhdon Kroaci-Bullgari, vazhdon Sarajevë zyrtare, Podgoricë zyrtare, Shkup zyrtar e Beogradi në fund. Sepse i tillë çfarë është ai i pa penduar për luftërat dhe krimet e shkaktuara në flirtim të vazhdueshëm me Moskën e Putinit nuk mund të ketë prioritet. Rrjedhimisht mendoj që edhe mbledhja e Novi Sadit edhe mbledhja e Ohrit ishin gabim në hapa. Albin Kurti dha edhe një mesazh për kryeministrin Rama, që sipas tij, duhet të kishte pritur krijimin e qeverise se re ne Kosove. Shqipëria zyrtare u ankua se nuk ka pasur qeveri të denjë në Kosovë, për bashkëpunim çfarë ajo ka dashur, e ka qenë e nevojshëm për të gjithë neve. Meqenëse ka pritur Shqipëria zyrtare për një qeveri të denjë të Kosovës shumë vjet, ka mundur të pres edhe pak javë që të formohet kjo qeveri, e të bashkëpunojmë siç dum të gjithë ne. Unë nuk e kuptoj pse kjo nguti, pse ky nxitim me Novi Sad e me Ohër e nesër me Durrës kur jemi ne prag te formimit të qeverisë së republikës së Kosovës , pra nëse kanë pritur shumë vite është dashur te presin edhe pak jave”. Fundjavën e shkuar kryeministri Rama së bashku me presidentin serb Aleksandar Vucic dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zaev u takuan ne Ohër ku miratua dokumenti për Shengeni Ballkanik. Takimi i radhës i liderëve te rajonit do te jete ne 21 dhjetor ne Durrës.

Konflikti verbal Rama-Kurti

Albin Kurti po i shton dozat e shigjetimeve kundër  nismave të përbashkëta Rama-Vuçiç. Megjithëse nuk ka shprehur kundërshtim të hapur ndaj idesë që vazhdoi të përurohet në takimin tripalësh të liderave të Ballkanit Perëndimor në Ohër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, e ka konsideruar atë si veprim të nxituar. Në fakt ideja, e minishengenit Ballkanik surprizoi jo pak vetë për shpejtësinë me të cilën atë e hodhën në treg kryeministri shqiptar dhe presidenti Serb që me ndihmën e Aleksis Sorosit arritën të rekrutojnë edhe shefin e ekzekutivit në Shkup, Zaev. Kjo shpejtësi ka ngjallur dyshimin se mos dy burrat e fortë të Beogradit dhe Tiranës janë më shumë të interesuar për të mbajtur në këmbë aureolën e liderve që mund të vendosin për Ballkaninn, sesa janë të interesuar  për interesin qytetar për lëvizjen e lirë të mallrave dhe të njerëzve. Ky dyshim bëhet edhe më i fortë po të mendosh se vetëm pak javë më parë edhe Rama edhe Vuçiç ishin idhtarë të ngritjes së mureve, duke mbështetur idenë e ndryshimit etnik të kufijve dhe papritmas u shndërruan në armiq të ngritjes së mureve dhe dashnorë të lëvizjes së lirë. Edhe më i dyshimtë është fakti se ky transformim u bë kaq me shpejtësi. Pikërisht këtë nxitim ka fshikulluar edhe Albin Kurti. Edhe një ditë më parë, kandidati për kryeministër i Kosovës, në një intervistë në “5 pyetjet nga Babaramo”, theksoi se dy vendet tona më parë duhet të rakordojnë me njëri tjetrin, e pastaj të flasin me të tretët. Me gjithë atë deri më tani, Kurti ka shigjetuar modalitetet por nuk ka dalë hapur as pro as kundër idesë të etiketuar si Mini-Shengen Ballkanik. Ai është treguar disi më i rezervuar se partneri i tij i ardhshëm i koalicionit, Isa Mustafa që e ka quajtur atë me një përpjekje për të ringjallur Jugosllavinë.

Flash Lajme