Shqipëria po braktiset. Fshati Bujqës në Elbasan, është fare pak kilometra larg qytetit dhe arrihet për 15 minuta me makinë.
Dikur kjo fushë pjellore dhe e sistemuar, quhej Myzeqeja e Elbasanit.

Por tani shumica e tokave nuk mbillen. Pasi nuk ia dolën të jetojnë me bujqësi, banorët iu drejtuan emigrimit në Greqi, Itali, Britani e Gjermani. Ikën, punuan, u kthyen për të ndërtuar shtëpitë e reja dhe ikën sërish. Tashmë në shumë prej këtyre shtëpive moderne nuk jeton njeri, ose jetojnë vetëm të moshuarit.

Brenda këtyre shtëpive nuk ka as zhurmë e as jetë. Vetëm trishtim dhe pritje. Pas ikjes masive të viteve të fundit, banorët tregojnë se numri i fëmijëve është reduktuar shumë, ndërsa mosha mesatare e fshatit është mbi 60 vjeç. “Nuk shoh një fëmijë të vogël në fugon apo autobus, të kënaqet shpirti ta shoh…”, tha një tjetër banor.

Në rrugët e pashtruara të fshatit, ndeshim një nga të rinjtë e mbetur, i cili e ka vendosur se çfarë do të bëjë në të ardhmen. Duke përsëritur refrenin se “çfarë do të bëj këtu” të rinjtë e Bujqësit u larguan, për tu kthyer një herë në vit. Disa edhe shumë më rrallë. Dikur një fshat i zhurmshëm, tashmë kafenetë e pakta modeste frekuentohen fare pak. Dhe tema e bisedës është sërish vetëm ikja. Braktisja e vendit nga rinia është tashmë në përmasat e një drame kombëtare. Ajo është bërë refreni i çdo apeli ndërkombëtar, në Bruksel, Berlin, Vatikan e Londër. Por në Tiranë ende nuk konsiderohet një problem i madh. /Klan Plus

Flash Lajme