Policia ka vënë në pranga autorët e dyshuar të tentativës së trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Është bërë e mundur zbardhja e tentativës për trafik ndërkombëtar të një sasie të konsiderueshme lënde narkotike, rreth 1 ton drogë dhe si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit: A.A, 39-vjeç dhe E.Xh, 33-vjeç.

Dyshohet se këta shtetas janë poseduesit e lëndës narkotike që do trafikohej më datën 22 janar, rast i parandaluar dhe goditur gjatë operacionit të koduar “Vjosa”.

Njoftimi i policisë

Operacioni “Vjosa” vë në pranga autorët e dyshuar të tentativës së trafikimit ndërkombëtar të lëndës narkotike. Falë punës hetimore intensive e të mirëorganizuar nga një grup i posaçëm hetimor i Drejtorisë Hetimore Qendrore në Policinë e Shtetit, Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda dhe me Drejtoritë Vendore të Policisë Vlorë, Lezhë e Elbasan, u bë e mundur zbardhja e tentativës për trafik ndërkombëtar të një sasie të konsiderueshme lënde narkotike. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: A.A, 39-vjeç dhe E.Xh, 33-vjeç. Nga tërësia e hetimeve të kryera nga grupi hetimor dyshohet se këta shtetas janë poseduesit e lëndës narkotike që do trafikohej më datën 22 janar, rast i parandaluar dhe goditur gjatë operacionit të koduar “Vjosa”, të zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me GdF-në. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij aktiviteti kriminal.

Ngjarja

Pas rastit në Durrës, ku u kap heroinë me vlerë 80 mijë euro, dje u kap gomonia me 1 ton kanabis. Mjeti lundrues u pikas në det nga policia kufitare dhe operacioni është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të së martës. Guardia Di Finanza dhe kufiri i Vlorës vijuan ndjekjen në det, kurse Forcat operacionale të FNSH-së Fier dhe të Policisë lokale Fier e Vlorë patrulluan me disa grupe nga toka, megjithë kushtet e vështira të motit. Ndjekja policore detyroi trafikantët të futeshin në grykëderdhjen e lumit. Aty braktisën mjetin lundrues dhe lëndën narkotike në buzë të lumit Vjosë. Duke përfituar nga errësira, të dyshuarit u larguan në drejtim të pyllit.

Forcat e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë ndjekjen për kapjen e tyre. Rreth orës 13:00 ngarkesa me lëndë narkotike u vendos në Drejtorinë e Policisë Fier ku dhe do bëhet peshimi. Flitet se ngarkesa arrin në 1 ton kanabis. Operacioni i policisë së Shtetit në bashkëpunim me partnerët e Guardia di Finanza-s nisi rreth orës 03:30 të mëngjesit, kur u pikas mjeti lundrues disa milje në det. Nga Policia shtohet se është sekuestruar 1 mjet lundrues, 2 automjete, një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis, si dhe prova të tjera që ndihmojnë hetimin.

Pak ditë më parë “The Guardian” e Londrës, një nga gazetat më të lexuara në Britani dhe në botë, në një shkrim të gjatë analitik për shtrirjen e mafies shqiptare të drogës shkuante se: “Nga portet e Europës deri në rrugët e Londrës, një rrjet kriminal tashmë komandon tregtinë me vlerë 5 miliardë stërlina të drogës në Britani”. Trafikantët shqiptarë të drogës, gazeta i cilëson “të sofistikuar, të zgjuar dhe që mbarojnë gjithmonë punë”. Mënyra sesi shqiptarët e pushtuan tregun britanik të kokainës është një leksion në botën kriminale.

Flash Lajme