Opozita shpall kushtin e ri për të dhënë konsensusin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Edmond Spaho: duhet qeveri transitore që të zhvillojë zgjedhjet. Sadi Vorpsi: Ne nuk mund t’u japim qeveri kalimtare çdo dy vite.

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca: Duhet dialog konstruktiv mes partive   

Lindita Bushgjokaj

Partitë parlamentare kanë edhe një muaj afat për të përfunduar reformën zgjedhore, por në heshtje, përmes lojërave politike, vazhdojnë t’i qëndrojnë besnike kodit të vjetër. Të paktën, kështu është komentuar heshtja PS-PD përballë ndryshimeve që duheshin bërë në Kodin Zgjedhor, sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR. Kushti i ri i PD-së për të dhënë konsensusin për Reformën Zgjedhore është ngritja e një qeveri tranzitore, që të zhvillojë zgjedhjet. Ndërkohë që PS ka dorëzuar në mënyrë të njëanshme një draft në Kuvend, të cilin dihet se nuk mund ta miratojë vetëm. Të dyja partitë, kanë gjetur kështu tensionimin e situatës si skemë për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor dhe për të ruajtur monopolin në administrimin e tyre. Partia Zgjidhja dhe Koalicioni 30 partive për Zgjedhje të Lira dhe të Barabarta akuzon për dështimin e hartimit të Reformës Zgjedhore marrëveshje të fshehtë të tre partive të vjetra që qeverisin prej mbi dy dekadash. Këre iu intereson të vazhdojnë me kodin e vjetër që iu siguron monopolin në administrimin e zgjedhjeve. Ndërkohë situata, nuk po gjen zgjidhje as nga thirrja e ndërkombëtarëve për të dialoguar, për tu ulur dhe për të ndryshuar kodin zgjedhor. “Nuk diskutohet që reformat duhet të vazhdojnë. Kjo është ftesa që po i bëj opozitës, sepse janë reforma që kërkojnë 84 vota”, shprehet relatorja Vasilika Hysi, duke bërë të ditur qëndrimin e Partisë Socialiste për Reformën Zgjedhore. Ata janë të vendosur që të vazhdojnë përpara me draftin, por për opozitën ky është tërësisht në mënyrë të njëanshme dhe nuk përfaqëson asnjë propozim nga ana e tyre.  

Opozita: Të ndërtohet qeveri tranzitore

Nënkryetari i PD-së Edmond Spaho, në një prononcim për gazetën “Shekulli”, tha se ndryshimet në kod janë të rëndësishme për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por jo të domosdoshme. Për opozitën ka një tjetër kusht thelbësor, që të ketë dialog me maxhorancën për zgjedhjet. Ata kërkojnë ndërtimin e një qeverie tranzitore, si e vetmja garanci për zgjedhje të barabarta. Për Spahon, në këto kushte është e pamundur që të shkohet në zgjedhje me Edi Ramën. “Ndryshimet në kod janë të domosdoshme, por të pamjaftueshme për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Ka një mori çështjesh të cilat duhet të adresohen nga qeveria, por që nuk është ndërmarrë asgjë. Duhet të shtohet infrastruktura dhe të subvencionohet çmimi për 1.4 milionë karta të të identetit të cilat skadojnë. Me ritmin e sotëm duhet dy vjet të pajisen. Duhet të përfundojë regjistri i adresave i cili duhet t’i japë fund transferimit të zgjedhësve nga një zonë në tjetrën. Votimi dhe numërimi elektronik po sabotohet. Në buxhetin e 2019-s nuk ka asnjë lek të parashikuar për projektin pilot në dy qarqe. Duhet të dënohen ata të cilët futën duart në zgjedhje në 2015 dhe 2017, kryetari i Bashkisë Durrës dhe disa deputetë për të cilët ka një dosje të plotë të bashkëpunimit me kontingjente kriminale. Duhet t’i jepet fund angazhimit të policisë dhe administratës publike në zgjedhje. Interceptimet që publikoi Zëri i Amerikës tregojnë, sesi punësohen militantët dhe më pas përdoren në proceset zgjedhore. Këto praktika i ka ngritur Edi Rama dhe ne nuk kemi asnjë lloj besimi që do të organizohen zgjedhje të lira e të ndershme. Duhet të kemi një qeveri tranzitore, objektivi i të cilës të jetë të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Me Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme”, pohon Spaho.  

LSI: Ngërçi zgjidhet me qeveri teknike

Deputetja e LSI-së Klajda Gjosha, ka shprehur edhe ajo qëndrimin e saj në emër të LSI-së për reformën zgjedhore. Ajo tha, se situata është shumë e polarizuar dhe në ngërç total, por për të dalë nga kjo situatë Gjosha rekomandon krijimin e një qeverie teknike.Palët janë më të polarizuara se kurrë. Unë i frikësohem kësaj pjese dhe do dëshiroja që ky ngërç të zgjidhej me një qeveri teknike”, -tha Gjosha. Në propozimet e palëve parashikohen qendra pilot për votimin elektronik dhe votimi i emigrantëve. Sa për administrimin e zgjedhjeve, kodi parashikon ngritjen e një organi të ri si Njësia e Administrimit të Zgjedhjeve që përbëhet nga 6 anëtarë dhe 2 sekretarë që emërohen nga KQZ e cila do të jetë e depolitizuar. Kontrolli financiar, kufizimi i shpenzimeve dhe reklamave janë disa nga pikat e tjera, por që me sa duket do të mbeten në letër.

Negociatat

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë një takimi me strukturat e LSI në Bashkinë e Vorës deklaroi se mos hapja e negociatave me BE do të sjellë pasoja kritike për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke sjellë izolimin e vendit. Kryemadhi theksoi se për hapjen e negociatave duhet dialog politik dhe realizimi i reformave, por duke përmendur edhe mesazhin e Komisionerit Hahn, Kryetarja e LSI-së theksoi se opozita i ka luajtur të gjitha gurët e saj, ndërkohë që mungon dialogu politik, në Parlament opozitës i mohohet e drejta e fjalës si në diktaturë. “Hapja e negociatave krijon një stabilitet ekonomik dhe politik për Shqipërinë. Hapja e negociatave për Shqipërinë ka një rëndësi shumë të madhe sepse krijon pozicionimin e Shqipërisë përfundimisht në krahun e Bashkimit Europian, gjë që për të cilën ne në këto 27 vite tranzicionit të politikës shqiptare kemi pasur të domosdoshme pozicionimin përfundimtar të Shqipërisë”, tha Kryemadhi.

PS: “Nuk mund t’i japim opozitës qeveri kalimtare çdo dy vjet”

Deputeti i PS-së Sadi Vorpsi, në një prononcim për gazetën “Shekulli” i përgjigjet thirrjes së opozitës për ndërtimin e një qeverie tranzitore , si një garanci për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Vorpsi i kundërpërgjigjet nënkryetarit të PD-së Edmond Spahos, duke evokuar historinë e “Cadrës”, përmes së cilës thotë, se kreu i PD-së tregoi se është një qeveri ngelëse. Duke shkuar më tej në këtë bisedë, Vorpsi tha se opozita nuk është e përgatitur për zgjedhje, por ato pak energji që ka i harxhon nëpër protesta periferike. “Me gjithë aq respekt sa meritojnë kolegët e opozitës, ne nuk mund t’u japim qeveri kalimtare çdo dy vite, sepse e provuam pas ‘Çadrës’ dhe pamë që gjysma e qeverisë së emëruar nga Lulzim Basha, jo vetëm që nuk ishte kalimtare, por ngelëse. Unë kam një pyetje për ju dhe lexuesin e ‘Shekullit’: E mbani mend se kush ishte ministër Shëndetësie nga PD gjatë atyre muajve kur u dorëzuam gjysmën e pushtetit? Po drejtori i Hipotekës që emëroi Basha sipas marrëveshjes, si quhej? Ne ndamë pushtet kur nuk siguronim dot mazhorancë absolute, e jo më tani që kemi mbi 76 mandate. A nuk është vetë Lulzim Basha që thotë: “Nuk ka marrëveshje të dytë. Ma hodhe një herë faji yt. Ma hodhe herën e dytë, faji im?”. Si do ta realizojmë këtë qeverinë kalimtare të Spahos? Këtu nuk bëhet fjalë, se ata duan ministra të rinj, sepse ata kanë Presidentin, kreun e SHISH me pëlqimin e Presidentit, kreun e KLSH dhe janë të lirë të propozojnë komisione hetimore për të shuar çdo dyshim në çdo moment. Që të rikthehem tek viti i ‘Çadrës’, a e mbani mend që ishte e vetmja opozitë në botë që nuk donte zgjedhje? Opozita thjeshtë nuk është e përgatitur për zgjedhje në asnjë moment, sepse ato pak energji që ka, i përdor nëpër protesta periferike. Dhe në rastin më të keq, rolin ua rrëmben shoqëria civile si në rastin e studentëve, minatorëve etj”, shprehet Vorpsi.

Luigi Soreca: Partitë të dialogojnë për Reformën Zgjedhore

Ambasadori Luigi Soreca, gjatë prezantimit të Presidencës Rumune të Këshillit të Bashkimit Evropian, u bëri thirrje partive politike që të bashkëpunojnë për Reformën Zgjedhore, sepse koha është e limituar. Soreca bëri të ditur, se Reforma Zgjedhore është kusht për çeljen e negociatave të Shqipërisë. “Koha është thelbësore dhe vendimi i qershorit nuk duhet të merret si i mirëqenë. BE-ja është plotësisht e angazhuar për ta ndihmuar Shqipërinë, siç tregoi vizita e Komisionerit Hahn javën e shkuar, por vendi duhet t’i orientojë të gjitha përpjekjet e tij drejt këtij objektivi. Për këtë nevojitet një dialog konstruktiv midis të gjitha partive politike. Gatishmëria e tyre për t’u bashkuar për të mirën dhe interesin e të gjithë shqiptarëve është thelbësore për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Në këtë drejtim, reforma zgjedhore për të adresuar rekomandimet e ODHIR/OSBE-së paraqet një mundësi të menjëhershme për të demonstruar pa mëdyshje këtë gatishmëri për marrëveshje dhe bashkëpunim ndërpartiak. Nuk ka mbetur edhe shumë kohë deri në etapat e ndryshme të pranverës. Do të ishte një gabim për Shqipërinë që të mos fokusohej për të bërë gjithçka që mund të bëjë vendi gjatë muajve të ardhshëm për t’u paraqitur plotësisht i përgatitur. Duke pasur parasysh të gjitha këto, është një shans që të mund të mbështetemi në angazhimin e Rumanisë si një partnere për ta drejtuar këtë punë në mënyrë efikase dhe me sukses së bashku”. Më tej, e mori fjalën Mircea Perpelea, Ambasador i Rumanisë në Republikën e Shqipërisë, për të prezantuar prioritetet e Presidencës Rumune të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Zgjedhjet, kusht për negociatat

Për qeverinë shqiptare ka filluar numërimi për momentin e paraqitjes së raportit përmes të cilit do të vendoset hapja ose jo e negociatave të integrimit. Edhe pse kanë mbetur më pak se 6 muaj për të marrë përgjigjen nga vendet e Bashkimit Europian detyrat duket se nuk janë plotësuar. Ambasadori i BE-së Luigi Soreca  i kërkoi politikës shqiptare më shumë përpjekje për konsensus me fokus integrimin e vendit. “Të dashur miq! Gjatë 6 muajve të ardhshëm Presidenca e parë rumune e Këshillit do të drejtojë Bashkimin Evropian në udhëtimin e tij gjithnjë përpara. Si President i Rumanisë, z. Klaus Iohannis, me të drejtë tha se kjo Presidencë do t’i japë formë të ardhmes së Bashkimit Evropian. Rumania do të drejtojë vështirësitë, por gjithashtu edhe mundësitë me të cilat po përballet aktualisht Bashkimi: tërheqja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, negociatat për Kornizën Financiare Shumëvjeçare post-2020 dhe sigurisht, zgjedhja e Parlamentit Evropian të ardhshëm. 12 vjet pasi Rumania u bashkua me Bashkimin Evropian, BE-ja mund të mbështetet tek ky vend gjithashtu te një presidencë që do ta shtyjë më tej agjendën e zgjerimit. Në lidhje me këtë, pas presidencave të suksesshme bullgare dhe austriake, unë e mirëpres fuqimisht vazhdimësinë e mbajtjes së Ballkanit Perëndimor midis prioriteteve tona kryesore këtë semestër. Për Shqipërinë kjo periudhë do të jetë absolutisht vendimtare. Jemi rreth katër muaj larg Raportit Vjetor të Komisionit dhe pesë muaj larg diskutimit të ardhshëm të Këshillit mbi zgjerimin. Ajo që shtetet anëtare presin nga Shqipëria u tha qartë qershorin e kaluar: të konsolidojë progresin në përparësitë kyçe dhe veçanërisht të japë rezultate të prekshme dhe konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Ka pasur operacione shumë inkurajuese të zbatimit të ligjit gjatë muajve të fundit, të cilat jo vetëm që duhet të vazhdojnë, por edhe të ndiqen nga një historik i qëndrueshëm ndjekjesh penale dhe dënimesh përfundimtare. Po ashtu, kohët e fundit kemi parë progres shumë të rëndësishëm në lidhje me reformën në drejtësi, me piketën e ngritjes së institucioneve të reja. Kjo shtron udhën për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë, si dhe për ngritjen e SPAK-ut dhe BKH-së. Por ajo çka nënkupton thellësisht është se reforma e drejtësisë, bazuar në veting, po funksionon dhe është e pakthyeshme. BE-ja i ka mirëpritur shumë këto zhvillime të fundit, por duhet bërë edhe më shumë”, tha Ambasadori i BE-së, Soreca.

Flash Lajme