Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një deklaratë për mediat ka reaguar për grabitjen e ndodhur dje në Rinas, ku persona të armatosur hynë në Aeroportin e vetëm kombëtar dhe vodhën 10 milionë euro.

Kreu i shtetit deklaroi se kjo ngjarje është e papranueshme për një vend anëtar të NATO. “Nisur nga ngjarja tronditëse në Aeroportin Nënë Tereza ndej detyrimin për këtë komunikim me qytetarët. Përsëritja e kësaj ngjarje brenda një objekti të sigurisë së veçantë është e papranueshme. Si vend anëtar i NATO kemi detyrimin të garantojmë standardin me të lartë të sigurisë”,- tha Presidenti.

Kreu i shtetit bëri të ditur se një vit më parë, më 16 maj 2018, ka thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare ku është diskutuar çështja e sigurisë dhe në Aeroportin e Rinasit. Presidenti tha se në këtë takim janë lënë detyra konkrete ndaj institucioneve për të marrë masa, lidhur me rëndësinë e veçantë që ka Aeroporti “Nënë Tereza” për sigurinë kombëtare.

Duke e cilësuar ngjarjen e djeshme si një ngjarje të rëndë për sigurinë kombëtare, Presidenti kërkoi nga të gjitha institucionet që të zbardhin ngjarjen, të zbulojnë autorët, si dhe të gjejnë sasinë e parave që janë grabitur.

Nga ana tjetër, në cilësinë e kreut të shtetit dhe Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Presidenti Meta kërkoi që institucionet të nxjerrin përgjegjësitë ligjore dhe penale të gjithë institucioneve dhe zyrtarëve që nuk kanë marrë masa për parandalimin e kësaj ngjarje të përsëritur.

Flash Lajme