Problemet e sigurisë në aeroportin e Rinasit kanë qenë evidente, por pavarësisht kësaj nuk janë marrë masat e nevojshme. Sipas fakteve të fundit, autoritetet e aeroportit ishin paralajmëruar disa muaj më parë nga policia për problemet në perimetrin e sigurisë, por i kishin injoruar ato.

Shefi i policisë së Rinasit Përparim Demo nëpërmjet një letre theksonte problemet që kishte aeroporti me portat e emergjencës por edhe me mungesën e sensorëve në gardhin metalik rrethues.

Nga ana tjetër, koncesionari i aeroportit i ka kërkuar policisë që për çështje të cilat lidhen me masat e sigurisë të zbatuara në aeroport, Komisariati i  Rinasit duhet të adresojë shqetësimet tek Autoriteti i Aviacionit Civil.

Edhe pas këtyre korrespondencave, kompania koncesionare nuk mori asnjë masë për të rritur nivelin e sigurisë. Korrespondenca mes Policisë së Rinasit dhe TIA-s është vënë në dispozicion edhe të prokurorëve të çështjes të cilët po analizojnë veprimet e të dyja palëve për të nxjerrë përgjegjësit.

Nga ana tjetër, kur kanë kaluar 6 ditë nga grabitja, prokurorët nuk kanë marrë asnjë person në pyetje, ndërsa vazhdojnë të sekuestrojnë të gjithë dokumentacionin dhe praktikën e ndjekur në Aeroportin e Rinasit ditën kur ndodhi grabitja.

Flash Lajme