Si i shpërdoron fondet bashkia e Tiranës, duke i ndarë përgjysmë, për sigurinë dhe investimet në rrjet. Pesë shoqëri private sigurimi ruajnë arkat e ndërmarrjes së Ujësjellësit falë super-tenderëve

Neritan Gjergo

Administrimi dhe ruajtja e parave të Ujësjellës-Kanalizimeve meriton medalje, në rast se vëren se sa shumë shpenzohet për sigurinë në këtë institucion. Në UKT, përmes tenderimeve 1-vjeçare, sipas kontratave që lidhen për këtë shërbim, shpenzohen rreth 13 miliardë, ndërsa ato qarkullojnë në dorën e  5 policive private, që ruajnë njëkohësisht arkat e ndërmarrjes. Por, nëse kaq shumë pará do të investoheshin për infrastrukturën e ujit, filtrimin e tij dhe ndërrimin e tubave të amortizuar nëntokësorë, atëherë do medalja do të shkonte pikërisht për sigurinë e shëndetit të qytetarit. “Openprocurement.al” ka bërë një analizë të tenderëve të fituar, dhe atyre që janë në procedurë me vlerë mbi 100 milionë lekë. Nga këta tre janë kontrata për shërbimin e sigurisë, të cilat në total mbërrijnë në 13 miliardë lekë, ndërsa 6 të tjerë kanalizohen në investime direke dhe vlera e përbashkët e tyre mbërrin po në 13 miliardë lekë. Pra, investimet madhore në rrjetin e ujësjellësit janë të barabarta me shërbimin e rojës në harkun kohor të dy viteve.

Super-tenderët

Global Security Sh.p.k, Eurogjici Security, Tony Security, Brecani Rosp dhe Port Construction janë 5 shoqëritë e sigurimit, të cilat kanë siguruar së bashku kontratat e lidhura nga bashkia e Tiranës për llogari të UKT-së, institucionit në varësi të saj. Në fund të janarit, ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, ka hapur garën për tenderin me vlerë 597 milionë lekë për ruajtjen dhe sigurinë e parave dhe arkave që disponon ky institucion. Super-tenderi është hapur në javën e dytë të janarit dhe shpalli fituese 5 kompanitë private për qëllime sigurie, ndërsa Policia Bashkiake përmes kësaj procedure e ka humbur tagrin, edhe pse numri i punonjësve të sigurisë që paguhen nga bashkia këtë vit pësoi rritje. Të njëjtën procedurë prokurimi, UKT shpalli edhe në fillim të vitit të kaluar, ku kontrata parashikonte vlefshmëri afati 1-vjeçare, ndërsa fondi limit ishte më i ulët 568 milionë lekë. Në databazën e openprocurement shihet se ky është tenderi me vlerë  rekord i një ndërmarrjeje publike i shpallur që nga muaji korrik 2015, datë kur filloi funksionimi i njësive të qeverisjes vendore sipas ndarjes territoriale dhe administrative. Në 2018-n, ishin 4 kompani sigurie private që u shpallën fituese, (u përfshi edhe Tony Security) ndërsa në garë, një shoqëri e pestë u skualifikua, për shkak se nuk kishte dorëzuar ofertë ekonomike. Duhet theksuar se UKT është shoqëri publike e zotëruar nga Bashkia Tiranë, me supervizor kryebashkiakun Erjon Veliaj, ndërsa ky super tender dhe performanca që kjo shoqëri, flasin për një qasje paradoksale. Kjo, pasi uji që kalon në rubinetet e familjeve në Tiranë nuk është i pijshëm, ndërsa çmimi i tij vitin e kaluar shkoi me rritje, pa justifikuar qëllimin.  Mesa duket, nevoja për të ngarkuar polici private për zyrat dhe filialet e UKT-së, janë një arsye pse qytetarët paguajnë tarifat e rritura me vendimin e këshillit bashkiak të Tiranës. Me asnjë votë kundër e asnjë abstenim, u miratua plani për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 20 lekë për m³: nga 45 lek/ m³ në 65 lekë/m³. Vlen të theksohet se këshilltarët e djathtë braktisën mbledhjen. Plani u votua pro bashkë me propozimet e PDIU-së, të ngjashme me ato të LSI-së. “Rritja e çmimit u propozua në një kohë që Ujësjellës Kanalizime Tiranë rezultoi një nga kompanitë më fitimprurëse dhe rentabël në Shqipëri nga njëra anë, dhe nga ana tjetër kishte hapësira për të rritur të ardhurat përmes rikuperimit të detyrimeve të prapambetura. Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat e ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime, në vitin 2016 ishin 2.95 miliardë lekë (21.5 milionë euro). Konsumatorët familjarë sjellin gati gjysmën e të ardhurave të Ujësjellësit. Fitimi i kompanisë, para taksave, ishte 675 milionë lekë, apo gati 5 milionë euro, me një rritje prej 8% në raport me fitimin e vitit 2015. Por, nëse për hir të shenjtërisë së arkave të UKT-së shpenzohen kaq shumë lekë, tenderi për investime që mbart vlerën më të lartë gjatë kësaj periudhe mbërrin në 421 milionë lekë dhe është pikërisht kontrata e shpallur në shtator 2018 për “shtesë në impiantin e Përpunimit të ujit të pijshëm Bovillë me 1800 l/sek , në fazën e parë të zbatimit për 600 l/sek”. Fitues i saj, është një bashkimi i operatorëve 2 T Sh.p.k dhe Fusha Sh.p.k. Kjo e fundit, kompani e preferuar e kryetarit të bashkisë së Tiranës e cila mban rekordin e kontratave edhe në rang republike.

Të dhëna

Në Bashkinë e Tiranës numërohen rreth 450 mijë banorë, ndërsa Qarku numëron më shumë se 832 mijë banorë. Sipas Masterplanit “Tirana 2030”, popullsia në Tiranë parashikohet të jetë 1,6 milionë banorë deri në vitin 2031. Sipas shifrave të INSTAT, një familje në kryeqytet shpenzon për konsum mesatarisht 81 710 lekë në muaj ose 2,723 lekë/ditë, nga të cilat tashmë duhet të paguajë rreth 14 lekë në ditë vetëm për furnizimin me ujë. Pra, nga INSTAT llogaritet që një familje në Tiranë paguan 4148 lekë në muaj për ujë. Nga ana tjetër, sipas UKT, mesatarja që harxhon një familje me 4 anëtarë në kryeqytet është 12 m3 ujë në muaj. Me çmimin aktual, kostoja është 540 lekë pa TVSH ose 648 lekë me TVSH. Enti Rregullator i Ujit dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës thonë se çmimi i propozuar nga Bashkia e Tiranës, pra 65 lekë / m³, (me investimin e 170 milionë eurove në 5 vjet), do të bëjë që kostoja reale që paguajnë sot qytetarët e Tiranës, ose e thënë ndryshe, shpenzimi për konsum uji sipas INSTAT, të ulet katër herë. Pra, nga 4148 lekë që sipas INSTAT paguan aktualisht një familje në Tiranë, pas 5 vitesh kur të furnizohet 24 orë me ujë në ditë, do të paguajë 936 lekë, ose katër herë më pak.

Performanca

Niveli i humbjeve në rrjet, 63 për qind

Ujësjellësi i Tiranës ka rezultuar me një nivel humbjesh teknike të ujit në rrjet në masën 63 për qind gjatë vitit 2018. Kjo është shifra e dhënë nga një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit, por që tregon situatën deri në gusht të vitit të shkuar. Në raportin e publikuar në fund të dhjetorit KLSH bën edhe një krahasim me vitin 2017 për të parë ecurinë e situatës e duke analizuar pjesën e arkëtimeve e detyrimeve të prapambetura. “Nga auditimi mbi prodhimin dhe faturimin e ujit, u konstatua se për vitin 2017 janë prodhuar gjithsej 100 milion m³ ujë dhe nga këto vetëm 35 milion m³ ujë janë faturuar, çka ka rezultuar në humbje teknike në masën 65% e ujit të prodhuar, duke e tejkaluar nivelin e humbjeve të miratuar me 3%, nga niveli i miratuar në masën 62%. Ndërsa për periudhën janar-gusht 2018, janë prodhuar gjithsej 63 milion m³ ujë dhe nga këto vetëm 23 milion m³ ujë janë faturuar, çka ka rezultuar në humbje teknike në masën 63 % të ujit të prodhuar, brenda nivelit të humbjeve të miratuar në masën 63.3%”, thuhet në raportin e KLSH lidhur me humbjet. Ajo që konstatohet nga auditimi është fakti që UKT po arkëton më shumë detyrime të prapambetura sesa detyrime të periudhës. Kështu niveli mesatar i arkëtimit për faturat e periudhës është 61% të faturimit. Ndërsa për nivelin e arkëtimit në total për çdo muaj, konstatohet se niveli i arkëtimeve për vitin 2017 në masën 133% të faturimit, ndërsa për periudhën janar-gusht 2018 është në masën 124% të faturimit. Debitorët që kanë një detyrim të akumuluar pranë Ujësjellësit në nivelin 34 milionë euro deri në fund të gushtit 2018. Sipas një analize të detajuar rezulton që 2 për qind të këtij borxhi e kanë vetëm 11 debitorë që janë kompani nën pronësi të Bashkisë së Tiranës, Qendra Spitalore Universitare dhe Banka e Shqipërisë dhe subjekte private. “Nga auditimi i debitorëve konstatohet se deri më datë 31.12.2017, shoqëria ka në total 79,425 abonentë debitorë nga 237,245 abonentë në total (33% e totalit), të cilët i detyrohen shoqërisë UKT SHA vlerën 4,070,632,815 lekë. Kjo vlerë, e cila është relativisht shumë e lartë, për arsye se është e barabartë me 125% të të ardhurave nga shitjet e shoqërisë, pasqyruar në pasqyrat financiare. Ndërsa deri më datë 31.07.2018, shoqëria ka në total 82,333 abonentë debitorë nga 249,792 abonentë në total (33% e totalit), të cilët i detyrohen shoqërisë UKT sh.a vlerën 4,251,993,560 lekë. Nga verifikimi i listave të debitorëve të datës 31.07.2018, konstatohet se 11 debitorët (ato me vlerë detyrimi mbi 5 milion lekë) me vlerë më të lartë dhe që përbëjnë në total 2% të debisë, konstatohet se debitori më i madh është shoqëria “Rezidenca Studentore Nr. 1 Tiranë” SHA, shoqëri publike aksionet e të cilës zotërohen 100% nga Bashkia Tiranë (që është njëkohësisht aksionari i UKT SHA) dhe që detyrimi i saj vetëm për 3 godina është në vlerën 21,029,264 lekë. Gjithashtu në listën e debitorëve më të mëdhenj janë dhe 2 institucione të tjera si Qendra Universitare Spitalore “Nënë Tereza” në vlerën 18,237,403 lekë dhe Banka e Shqipërisë në vlerën 10,161,943 lekë.

3.7 miliardë euro për ujë 24 orë, plani i dështuar

Shoqëria Ujësjellës-Kanalizime, Tiranë aplikoi vitin e kaluar pranë Entit Rregullator të Ujit për një rritje të tarifave për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve të ujërave të ndotura. Për konsumatorët familjarë u propozua një rritje çmimi nga 45 lekë/m³ në 65 lekë/m³, një rritje çmimi me 44%. Për bizneset, rritja e propozuar është po 44%, nga 135 lekë/m³ në 190 lekë/m³. Synimi: Kryeqyteti, deri në fund të vitit të pestë, të ketë furnizim me ujë pa ndërprerje, pra 24 orë/ditë. Një objektiv mjaft ambicioz dhe me rëndësi të veçantë, jo vetëm për kryeqytetin që përfaqëson 1/3 e popullsisë së vendit, por edhe për të gjithë vendin! Shqipëria është shteti i 11-të në Europë (madje përpara Austrisë, Gjermanisë), por edhe të gjithë vendeve ballkanike, me përqindjen më të lartë të popullsisë së përqendruar në kryeqytet. Nevojat për investime publike për rinovimin e rrjeteve dhe për krijimin e të rejave, për impiante dhe për ujërat e ndotura janë të vlerësuara në masterplanin kombëtar. Janë rreth 3,7 miliardë euro që nevojiten për realizimin e këtij masterplani ambicioz kombëtar. Strategjia kombëtare e menaxhimit të ujit ka rivlerësuar deri në vitin 2040 përdorimin e këtyre miliardave, që do të thotë rreth 150 milionë euro në vit. Aktualisht përdoren vetëm rreth 50-60 milionë euro në vit. Por duhet pasur parasysh se standardi i pranuar kudo në botë është  se të ardhurat nga shoqëritë e ujësjellësve planifikohen duke ruajtur parimin e përballueshmërisë së tarifave dhe rritjen graduale të tyre. Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës (UKT) kontraktoi në fund të vitit 2015 firmën ndërkombëtare audituese “Grant Thorton” për të kryer auditimin dhe certifikimin e bilancit të UKT-së për vitin 2015. Në raportin e auditit, të datës 17 korrik 2016, pasi ka renditur një sërë dokumentesh që mungonin ose nuk iu vunë në dispozicion grupit të auditimit, “Grant Thorton” refuzoi të certifikojë bilancin duke u shprehur se “grupi ynë i punës nuk ka arritur të marrë ndonjë informacion shtesë për të hequr dyshimin mbi këto paqartësi të evidentuara më herët”.

Flash Lajme