Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron mbajtën një konferencë për media nga Berlini, ku po zhvillohet Samiti për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Duhet të shohim situata e ndryshme në vende të ndryshme dhe të shohim ku duhet një ndërhyrje e veçantë”, tha Merkel gjatë konferencës.

Kancelarja deklaroi se Berlini dhe Parisi zyrtar kanë përgjegjësi për këto zhvillime, duke u shprehur se: “është në interesin e përbashkët të BE që zhvillimi i rajonit të jetë pozitiv”.

Ajo ritheksoi rëndësinë që Kosova dhe Serbia të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje. “I gjithë rajoni mund të integrohet si i tërë”, u shpreh Merkel.

Kryefjalë e bisedimeve të samitit që po zhvillohet sot në kryeqytetin gjerman është dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit.

Takimi me Ramën

Kancelarja Merkel zhvilloi një takim me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, që mësohet se ka zgjatur pak minuta.  Në takim u diskutua mbi ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjithashtu Kryeministri Rama foli edhe për pritshmëritë e Qeverisë shqiptare për raportin e Komisionit Europian që do të publikohet në fund të muajit maj.

Kryeministri i Shqipërisë e falënderoi Kancelaren për vëmendjen e vazhdueshme dhe mbështetjen që Gjermania ka dhënë për të shtyrë më tej rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Pjesë e diskutimeve ishin zhvillimet ne rajon dhe domosdoshmëria për vijimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.

Flash Lajme