Pas asaj çfarë ndodhi mbrëmë në Tiranë gjatë protestës së opozitës së bashkuar ka ardhur edhe reagimi i ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Gjatë një deklarate për mediat ai tha se me qindra bomba molotov u hodhën në institucionet shtetërore dhe punonjësve të policisë, duke rrezikuar jetën e këtyre të fundit apo edhe pjesëmarrësve të protestës.

“Ashtu siç ishte planifikuar dhe njoftuar nga vetë organizatorët, Tiranë jetoi mbrëmë një mori sulmesh të koordinuar kundër institucioneve kushtetuese e Policisë së Shtetit.

Për orë të tëra Kryeministria, Kryesia e Kuvendit, Parlamenti si dhe forcat e Policisë së Shtetit, të ngarkuar për ruajtjen e tyre u vunë në goditjet e organizuara nga grupet e militanteve të cilët përdorën masivisht bomba molotov, kapsolla dhe mjete të tjera piroteknike. Gjatë përpjekjeve për të djegur institucionet flakët rrezikuan seriozisht jetën e punonjësve të Policisë por edhe atë të protestuesve. Me dhjetra punonjës të policisë përfunduan në spital për shkak të plagëve të marra. Verbëria e sulmeve nuk kurseu as qytetarë të tjerë të papërfshirë në ngjarje.

Për orë të tëra ata përballuan me qindra bomba molotov, me mijëra mjete të tjera piroteknike, gurë, dhe sende të tjera të forta”, tha ministri i Brendshëm Lleshaj.

Flash Lajme