Universiteti i Evropës Juglindore për vitin akademik 2019/20, ofertën e tij studimore e ka pasuruar me programe të reja, të cilët janë dizajnuar për të plotësuar kërkesën e tregut të punës për kuadër profesionistë dhe cilësorë.


“Universiteti i Evropës Juglindore vazhdimisht bënë hulumtime të tregut, por edhe mban kontakte intensive me komunitetin e biznesit, ku qëllimi kryesor është të nxjerrim kuadro të aftë profesionalisht, cilësor, por edhe të përshtatshëm për kërkesat e tregut të punës. “, thotë rektori Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti.
Programi studimor, “Financa dhe Banka”, ofrohet nga Fakulteti i Biznesit dhe Ekonomisë, kurse “Informatika Juridike”, ofrohet nga Fakulteti Juridik.
“Programet studimore aktuale janë dëshmuar se janë atraktive për tregun e punës. Këtë e argumentojnë të dhënat që kemi nga Qendra e Karrierës dhe Enti Shtetëror Statistikor, ku 61% e të diplomuarve tanë arrijnë të punësohen, që në vitin e parë nga diplomimi”, thotë rektori Bexheti.
Në kuadër të ofertës akademike, për vitin e ri akademik mjaftë atraktive është edhe oferta e bursave, ku të gjithë maturantët, të cilët në shkollën e mesme kanë arritur sukses të shkëlqyeshëm (5.00), fitojnë bursë të plotë që mbulon 60%, të pagesës së shkollimit. Maturantët, të cilët në shkollën e mesme kanë arritur sukses prej 4.5 – 4.99, fitojnë bursë për mbulimin e pagesës së shkollimit prej 40%. Lehtësime financiare ka edhe për studentin e dytë dhe të tretë të familjes, që studiojnë njëkohësisht, të cilët fitojnë 15%, respektivisht 25%. Mundësi shumë e mirë dhe unike e UEJL-së është programi “Puno dhe Studio”, ku studentët e angazhuar punojnë në shërbimet kryesore të Universitetit, kundrejt kompensimit financiar që u jepet për orët e angazhimit, i cili më pas minusohet nga pagesa e shkollimit.
Universiteti i Evropës Juglindore tashmë e ka shpallur Konkursin për regjistrimin e studentëve në vitin e ri akademik, ku në ciklin e parë ofron 22 drejtime studimore, në ciklin e dytë 27 drejtime studimore dhe 12 drejtime studimore në ciklin e tretë të studimeve. Sipas konkursit, në tre ciklet e studimit, në pesë fakultete (Fakulteti i Shkencave Shoqërore Bashkëkohore, Fakulteti i Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, Fakulteti i Biznesit dhe Fakulteti Juridik), pritet të regjistrohen rreth 1300 studentë, të cilët do të studiojnë në Kampusin në Tetovë dhe në degën e UEJL-së në Shkup.(INA)

Flash Lajme