Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, pas dështimit së Maqedonisë së Veriut për të marrë datë për fillim të negociatave me BE-në ka thënë se çmimin e këtij zhgënjimi duhet ta paguajë vetëm qeveria, dhe formë për këtë janë zgjedhjet e parakohshme.

“Çmimin e këtij zhgënjimi patjetër që qeveria duhet ta paguajë dhe qytetari ka vetëm një formë, që t’i dënojë apo shpërblejë vendimet dhe veprimet që i bën një politikan, dhe kjo formë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Duhet që Qeveria dhe partitë politike të zbresin te qytetari dhe atje të marrin energjinë e nevojshme që këto procese t’i çojnë përpara”, tha Sela. Ai theksoi se kërkesat e BE-së janë në të mirë të qytetarëve të vendit dhe se shteti i së drejtës nuk i duhet Francës por qytetarëve. “Fajtor është vetëm qeveria, askush tjetër. Edhe në paraqitje tjera publike e kam thënë se realisht, BE ato kërkesa që kanë ndaj nesh si shtet janë kërkesa që në pikë të parë janë në të mirë të qytetarëve të vendit. Shteti i së drejtës nuk i duhet Francës dhe Makron por i duhet qytetarëve të RMV-së. Shteti i së drejtës dhe pastrimi i klasës politike nga njerëz të korruptuar i shërben mbi të gjitha institucioneve të vendit, prandaj faji duhet kërkuar brenda përbrenda”, tha Sela. Sa i përket thirrjes së presidentit Pendarovski për takimit të liderëve të dielën Sela tha se ka pranuar ftesë që ditën e djeshme dhe se me gjasë do të marrë pjesë në këtë takim. “Po kam pranuar ftesë që dje, besoja që në atë takim do flasim për hapat e ardhshëm që na presin si politikanë dhe shoqëri, po të kishim marrë datë sot. Me shumë gjasë do marr pjesë, por mendoj që ndryshe do të ishte po të flisnim për të ardhmen, kurse tani duhet të flasim për situatën në të cilën ndodhemi”, tha Sela.
Nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, a do të bëhet regjistrimi i popullsisë? “Ne zgjedhje mund të kemi në shkurt ose në mars. Regjistrimi është i rregullt, nuk është i parakohshëm. Maqedonia bën pjesë te ato shtete që nuk e kanë bërë regjistrimin e 2011, por kjo nuk do të thotë që ne duhet të presim, regjistrimi mund të mbahet edhe nga ana e një qeveria e re, ka kohë deri atëherë”, tha Sela.

Flash Lajme