Ministri i brendshëm Oliver Spasovski ka zbardhur detaje lidhur me aktivitetet e dyshuara më parë nga ish-kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale, Katica Janeva. Ai thotë se kritikat ndaj Katica Janevës i ka bërë që në janar të këtij viti lidhur me lirimin e disa të arrestuarve.

“E bëra atë kritikë sepse kisha njohuri të caktuara për atë, ndërkaq është shumë lehtë në momente të tilla prokurorët të reagojnë dhe të thonë që secili ta shohë punën e vet”, theksoi sonte ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në intervistë për Kanal 5.

Ai shtoi se nuk ka menduar se Janeva do të vjen në këtë gjendje. “Zërat se Orce Kamçev nuk mund të lihet në paraburgim, e më pas të lihet të shkojë në shtëpi, sipas meje është e mjaftueshme për të dyshuar se ka diçka që nuk shkon. Nuk mendova se Janeva do të vijë në këtë pozitë, sepse sipas përgjegjësisë që e mori për të përmbushur qëllime të caktuara, nuk guxon t’ia lejojë vetes atë, sepse ka përgjegjësi ndaj qytetarëve. Këtu bëhet fjalë për institucion i cili duhej seriozisht t’i kundërvihet krimit. Ai institucion jo se nuk e përmbushi pritjen. Bënë shumë punë të mira të cilat i shohim përmes lëndëve që i zhvillojnë. Në bazë të atyre hetimeve të cilat i zhvillojnë prokurorët nga Prokuroria speciale ka aktgjykime dhe do të ketë aktgjykime dhe askush nuk mund ta evitojë atë përgjegjësi”, theksoi Spasovski.(INA)

Flash Lajme