Barra totale e sëmundjes për meshkujt dhe femrat shqiptare është më e larta në rajonin e Europës Juglindore, raporton Ministria e Shëndetësisë në strategjinë kombëtare të shëndetit 2016-2020, ndërkohë që sëmundjet infektive në Shqipëri kapin një përqindje të lartë të barrës së përgjithshme të sëmundjeve, barra e sëmundjeve të patransmetueshme (NCDs) në Shqipëri është rritur me 34% nga viti 1990 deri në vitin 2010.

Ritmi i rritjes ka qenë i ngjashëm si për burrat dhe për gratë. Sëmundjet kardiovaskulare përbënin rreth 55% të të gjitha vdekjeve (51% te meshkujt dhe 61% te femrat) analizoi Ministria e Shëndetësisë. Nga ana tjetër, aksidentet rrugore ngelen një vrasës i madh në Shqipëri, për sa u përket shkaqeve të jashtme të vdekjes. Në lidhje me shëndetin e fëmijëve, Shqipëria ende përballet me barrën dyfishtë të kequshqyerjes dhe mbipeshës, ndërkohë që mungesa e rritjes është në rënie. Të gjithë indikatorët e mësipërm flasin për nevojën për të përmirësuar gjendjen shëndetësore të popullatës shqiptare në krahasim me mesataren europiane.

Të dhënat më të fundit zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë mbi ndikimin e faktorëve të rrezikut të sëmundshmërisë në Shqipëri identifikojnë tre faktorë të rrezikut përgjegjës për pjesën dërrmuese të barrës së sëmundshmërisë:

i) rreziqet e lidhura me dietën ushqimore;

ii) hipertensioni arterial;

iii) duhanpirja. Gjatë 20 viteve të fundit ka pasur rritje domethënëse në barrën e sëmundshmërisë, që u atribuohet karakteristikave të mënyrës së jetesës në Shqipëri. Aktualisht, faktorët e stilit të jetesës përbëjnë mbi 70% të barrës totale të sëmundshmërisë. Në dy dekadat e fundit në Shqipëri, niveli total i vdekshmërisë për shkak të mbipeshës dhe obezitetit është rritur më shumë se dy herë. Në veçanti, niveli i vdekjeve nga sëmundja ishemike e zemrës është rritur 2.5 herë, ndërsa niveli i vdekjeve nga diabeti është trefishuar. Në vitin 2010, duhanpirja ishte shkaktare e 22% të të gjitha vdekjeve në Shqipëri.

Megjithatë ka evidenca në rritje se shëndeti dhe mirëqenia nuk janë të lidhura vetëm me performancën e sistemit shëndetësor. Ka faktorë të tjerë socialë të lidhur me të ardhurat, arsimimin, strehimin dhe mjedisin që kanë ndikim të fortë në shëndet dhe mirëqenie që kërkojnë përqasje të integruar dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë sektorët e qeverisë, si dhe aktorëve të tjerë në shoqëri.

Arsimi është një tjetër përcaktor i rëndësishëm shoqëror për shëndetin. Korrelacioni midis arsimit dhe varfërisë është i zhdrejtë: sa më të arsimuar, aq më pak të varfër janë njerëzit dhe anasjelltas. Formimi, arsimimi e shprehitë profesionale, si dhe arsimimi universitar shërbejnë si nxitës për të hyrë në tregun e punës, për të dalë nga varfëria dhe për të rritur përfshirjen sociale, dhe në afatgjatë kontribuojnë në përmmirësimin e shëndetit, veçanërisht duke ulur vdekshmërinë neonatale dhe atë amtare. Vlerësimet e studimit PISA (2012), tregojnë se produktet dhe cilësia e shkollës shqiptare (rezultatet e nxënësve në matematikë, lexim dhe shkenca; përfshirja në shkollë dhe shkalla e kënaqësisë nga shkolla; motivimi për të arritur rezultate sa më të mira etj.) janë më të ulëtat në rajon. Sipas këtyre vlerësimeve, Shqipëria është rreth një vit shkollor mbrapa vendeve si Bullgaria, Rumania dhe Serbia dhe rreth dy vjet e gjysmë shkollorë pas mesatares së OECD-së”.

Mjedisi është një nga faktorët kryesorë që ndikojnë shëndetin dhe mirëqenien e çdokujt. Evidencat globale dhe rajonale tregojnë që përcaktorët mjedisore (së bashku me faktorët e stilit të jetës: cilësia e ujit dhe e ajrit, rrezatimet, shëndeti në punë dhe aktiviteti fizik) kanë ndikim të qenësishëm në shëndetin e popullatës. Tregu botëror i medikamenteve në rritje, kryesojnë ato për trajtimin e kancerit dhe diabetit. Tregu global i medikamenteve me recetë pritet të rritet me 6% nga viti 2016 deri në vitin 2022 për të arritur afro 1.05 triliardë dollarë deri në vitin 2022, sipas të dhënave nga klubi global i farmacive IgeaHub. 20 barnat më të shitura prodhohen nga 14 kompani dhe përbëjnë 10% të totalit të tregut botëror të barnave me recetë në vitin 2016. Të ardhurat totale të gjeneruara nga 20 produktet më të mira u vlerësuan të jenë 128 triliardë dollarë. Një numër i madh i ilaçeve në listë përdoren kryesisht për trajtimin dhe menaxhimin e kancerit, diabetit, çrregullimeve inflamatore dhe infeksioneve të HIV ose HCV. Më poshtë barnat më të shitura më 2016.

1.Humira (Adalimumab): Përdoret në trajtimin e sëmundjeve autoimune dhe të moderuar të artritit reumatoid të rëndë. Ai kryeson listën e barnave me recetë të vitit 2016, me një rritje vjetore prej 15%, me shitje rreth 16 miliardë dollarë në nivel global.

2. Harvoni (Ledipasvir / sofosbuvir): Ky produkt trajton infeksionet e shkaktuara nga HCV / HIV. Ai është medikamenti i dytë më i shitur me të ardhura prej 9 miliardë dollarë.

3. Enbrel (Etanercept): Është një tjetër ilaç që përdoret për sëmundjet autoimune, duke përfshirë artritin reumatoid dhe simptoma të tjera inflamatore. Patenta e prodhimit zotërohet nga Amgen në SHBA dhe Pfizer në Europë. Produkti mban pozicionin e tretë në listën e shitjes së barnave me recetë.

4. Rituxan: Biogen dhe Roche bashkëtregtojnë produktin për trajtimin e kancerit. Patenta për këtë produkt ka skaduar në vitin 2015, çka mund të sjellë rënie të konsiderueshme në shitjet në vijim. Produkti aktualisht mban pozicionin e 4 në tregun e barnave me recetë për shkak të të ardhurave të larta.

5. Remicade: Përdoret për sëmundjet autoimune dhe prodhohet nga J & J dhe Merck. Shitjet e Remicade zbritën me 11% në 2016 në krahasim me vitin 2015. Në shkurt të vitit 2015, kompania humbi ekskluzivitetin e tregut në tregjet kryesore europiane dhe nuk ka më ekskluzivitet të tregut në asnjë nga territoret e tij të marketingut. Kompania po përjeton rënie të çmimeve dhe të vëllimit në këto tregje, si rezultat i konkurrencës së biosimilarëve dhe pret që rënia të vazhdojë.

6. Revlimid: Ky ilaç prodhohet nga Celgene ardhurat. Produkti përdoret për trajtimin e mylomës së shumëfishtë (sëmundje gjaku). Patenta për këtë produkt mbaron në vitin në 2027. Produkti ka pozicionin e 6-të në tregun e barnave me recetë.

7. Avastin: Prodhohet nga kompania Roche dhe përdoret për trajtimin e kancerit të avancuar kolorektal, gjirit, mushkërive, veshkave, qafës së mitrës dhe ovarianëve. Shitjet u rritën me 18% më 2016, veçanërisht në Kinë, pas miratimit të mënyrës së trajtimit të kancerit të mushkërive.

8. Herceptin: Është një produkt tjetër i prodhuar nga Roche, i përdorur për trajtimin e kancerit kryesisht të gjirit dhe stomakut. Shitjet e Herceptin u rritën me 4%, i ndihmuar nga përfshirja e tij në listën e rimbursimeve në Kinë.

9. Januvia: Ky produkt përdoret për trajtimin e diabetit të tipit 2. Merck prodhon produktin dhe shitjet në mbarë botën vlerësohen 6.1 miliardë dollarë në 2016. Rritja e shitjeve u nxit kryesisht nga vëllime më të larta të përdorimit në Shtetet e Bashkuara, Europë dhe Kanada.

10. Lantus. Është një analog i insulinës humane me veprim të gjatë i prodhuar nga kompania Sanofi. Të ardhurat nga Lantus ishin 6.05 miliardë dollarë në 2016, me rënie prej 11% nga viti i kaluar. Patenta amerikane për produktin skadoi në gusht 2014. Ajo dikur ishte një nga produktet më të shitur të diabetit në botë. /Monitor/


Flash Lajme