Kush pi duhan duhet ta dijë mirë se rrezikon seriozisht të preket nga sëmundje të rënda dhe madje vdekjeprurëse si kanceri i mushkërive apo sëmundja obstruktive e pulmonit e quajtur SPOK.

Të dhënat e spitalit Universitar Shefqet Ndroqi janë vërtetë tronditëse. Profesoreshë Silvana Bala, kryetare e Shoqatës së Pneumologjisë,  thotë se janë 700 raste të reja me kancer të pulmonit të diagnostikuara në harkun kohor të një viti, ndërsa numri i tyre rritet me të paktën 60 raste nga viti në vit.

Ndërkohë ekspertët e duhanit thonë se në Shqipëri konsumojnë rregullisht duhan rreth 780 mijë persona prej të cilëve 1 në 8 është i destinuar të preket nga sëmundja e rëndë obstruktive e quajtur SPOK.

Sëmundja shkakton ngushtim të parikthyeshëm të rrugëve ajrore dhe kërkon  oksigjenim të herëpashershëm në kushtet e shtëpisë për shpëlarjen e dyoksidit të karbonit.

Por këtë luks nuk e kanë të sëmurët që vijnë nga familjet e varfra pasi aparatura e oksigjenoterapisë kushton 700 dollarë dhe nuk rimbursohet nga shteti.

E pikërisht nga mos-oksigjenimi të sëmurët përfundojnë në spital direkt në terapi intensive ku kostoja për shtrat llogaritet në 5600 dollarë.

Jo zyrtarisht mjekët e spitalit të mushkërive pohojnë se 30 për qind e shtrimeve vjetore ipërkasin pikërisht kësaj sëmundje.
Të dhënat u bënë publike gjatë kongresit të 11 të pneumologjisë që po mbahet në Tiranë ku marrin pjesë mjekët më të njohur nga Shqipëria e Kosova./ I.M-BW


Flash Lajme