Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me drejtuesit e shërbimeve të kirurgjisë dhe ekipin e Qendrës Spitalore Universitare ”Nënë Tereza”, për të konkretizuar planin e transferimit të të gjithë shërbimeve të kirurgjisë në spitalin e ri modern.

Ministrja ka bërë të ditur se spitali i ri modern është gati të hapë dyert në qendrën më të madhe spitalore në vend. ”Me drejtuesit e shërbimeve të kirurgjisë dhe ekipin e QSUT për të konkretizuar planin e transferimit të të gjithë shërbimeve të kirurgjisë në spitalin e ri modern që është gati të hapë dyert në qendrën më të madhe spitalore në vend”.

Spitali i ri i Kirurgjisë në QSUT është një investim me vlerë 8.8 milion euro, ku do të përqendrohet i gjithë shërbimi i kirurgjisë, përfshirë edhe urgjencën. Spitali i ri i kirurgjisë ka një kapacitet prej 120 shtretër, duke bërë të mundur transferimin e të tre klinikave të kirurgjisë së përgjithshme në këtë godinë. Po ashtu ky spital ka 7 salla operacioni (Urologji, Kirurgji e Përgjithshme, tiroidet, toraksi, kirurgji abdominale, me një kullë laparoskopie secila), njëra prej të cilave krejtësisht digjitale, që ju shërben edhe studentëve të mjekësisë për të ndjekur nga afër ndërhyrjet operatore në praktikën e tyre klinike. Spitali i ri ka edhe 2 salla leksioni dedikuar studentëve të mjekësisë ku do të zhvillohen praktikat mjekësore, si dhe edukimi në vazhdim.

”Jemi në fazën përfundimtare për të vënë në funksion spitalin e ri të kirurgjisë në QSUT, një premtim i bërë realitet, që i shërben mbi 62 mijë pacientëve në vit. Ky investim nuk është vetëm llaç e tulla. Kjo është zemra e kirurgjisë për të gjithë vendin, që është pajisur me aparatura të teknologjisë së lartë, që do të përmirësojnë cilësinë e shërbimit për qytetarët”. Qeveria shqiptare ka investuar rreth 30 milion euro për modernizimin e QSUT-së me ndërtimin e spitalit të ri të kirurgjisë, spitalit të ri të dëmundjeve të drendshme dhe Pediatrisë. Nga këto investime përfitojnë 300 mijë pacientë, rreth 5,000 punonjës staf mjekësor dhe jo mjekësor, si dhe rreth 1,000 studentë të mjekësisë.

Përfitues të drejtpërdrejtë të investimeve për modernizimin e shërbimit në QSUT janë edhe studentët e mjekësisë, për të cilët në kuadër edhe të Paktit për Universitetin, po ndërtohen 11 salla studimi me kushte bashkëkohore, nga të cilat, dy salla në Spitalin e ri Kirurgjikal dhe 9 të tjera në Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme. ”Ashtu siç e kemi premtuar në Paktin për Universitetin, ne po krijojmë standarde jo vetëm për pacientët por duke qenë se QSUT është spital universitar, jemi përpjekur që në të gjitha projektet e zhvillimit të Qendrave Spitalore Universitare, përfshirë këtu sigurisht “Nënë Terezën”, maternitetet, spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe Traumën të kemi hapësirat e nevojshme që studentët të mund të kryejnë në kushte cilësore mësimin. Ndaj do të ketë salla leksionesh, ku studentët, bashkë me profesorët e tyre, mund të kryejnë procesin e mësimdhënies si dhe ambiente të tjera”.


Flash Lajme