Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në komunikimin e përjavshëm me qytetarët, foli për rastin e Florantit i cili kishte probleme me procedurat e gjata për shtrimin në repartin e hematologjisë në QSUT për të marrë trajtimin periodik, ka gjetur zgjidhje.

Manastirliu u angazhua drejtpërdrejt për rastin. Sipas ministres, ky rast u zgjidh dhe tashmë pacientët me diagnoza të konfirmuara nuk do duhet më të shkojnë në spitalet rajonale pasi tashmë sistemi i referimit lejon që të paraqiten direkt në shërbimet e QSUT pa asnjë ndalesë.

”Po e nis komunikimin me ju me një përgjigje direkte për Florantin i cili më përcolli shqetësimin e tij për procedurat e gjata që kishte hasur për t’u shtruar në shërbimin e hematologjisë në QSUT për të marrë trajtimin periodik. Si pacient kronik duhet të shkonte periodikisht në spitalin rajonal përpara shtrimit në QSUT. Dua t’i them Florantit se e verifikova menjëherë këtë procedurë aspak të lehtë për pacientët dhe vendosëm ta ndryshojmë dhe ta lehtësojmë. Ndaj prej pak ditësh tashmë pacientët me diagnoza të konfirmuara nuk do duhet më të shkojnë në spitalet rajonale pasi tashmë sistemi i referimit lejon që të paraqiten direkt në shërbimet e QSUT pa asnjë ndalesë. Nuk do të ndalemi këtu do të vijojmë siç kemi bërë me lehtësimin e procedurave për përfitimin e shërbimeve shëndetësore deri sa të jetë eliminuar çdo procedurë”.

Gjithashtu një tjetër rast i një nëne nga Elbasani u zgjidh mbi testin e HPV për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Me ndihmën e punonjësve të shëndetësisë ajo e bëri këtë test falas qendrën e saj shëndetësore në Elbasan. ”Silvi, një nënë nga Elbasani m’u drejtua këtë javë me një kërkesë për të bërë testin HPV për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Silvi ishte e painformuar që ky test kryhet pranë çdo qendre shëndetësore. Menjëherë punonjësit tanë të shëndetësisë u kujdesën që Silvi të kryente testin HPV pranë qendrës së saj shëndetësore në Elbasan. E shfrytëzoj këtë komunikim me ju gjithashtu për t’i thënë të gjitha grave ndërmjet moshës 40-49 vjeç për tu drejtuar pranë qendrave shëndetësore për të kryer testin HPV falas me qëllim parandalimin e kancerit të qafës së mitrës”.

Gjithashtu ministrja solli dhe një herë në vëmendje kontrollin mjekësor bazë ku vetëm në 10 muaj e kanë përfituar falas këtë kontroll 411 mijë qytetarë. ”Në javën që lamë pas isha në qendrën time shëndetësore në Tiranë për të kryer kontrollin mjekësor bazë të cilin e kryej rregullisht një herë në vit. Kontrolli mjekësor bazë është një program që çdo ditë e më shumë po ndihmon në zbulimin në kohë të sëmundjeve kronike duke ndikuar direkt në uljen e invaliditetit, mortalitetit dhe rritjen e cilësisë së jetës. Më shumë se 411 mijë qytetarë e kanë kryer këtë kontroll në këto 10 muaj”.

Vijojnë gjithashtu kontrollet nga inspektorët e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor në kuadër të masave për zbatimin e ligjit kundër produkteve të duhanit. ”Gjatë javës që lamë pas takova inspektorët e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor në kuadër të planit të ri të masave që po ndërmarrim për zbatimin e ligjit kundër produkteve të duhanit dhe organizimin e punës për të shtuar inspektimet sidomos në zonat afër shkollave dhe për të mos patur tolerancë për këdo që shkel ligjin”.

Ministrja gjatë këtij komunikim bëri dhe një panoramë të punëve që do bëhen gjatë kësaj jave të re. Në fokus të kësaj jave është vaksinimi i popullatës kundër gripit. ”Gjatë kësaj jave do jem në qendrën shëndetësore nr.10 në Tiranë ku nisim një program shumë të rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit të popullatës, vaksinimin ndaj gripit për kategoritë në risk. Pranë çdo qendre shëndetësore prej pak ditësh ka filluar kryerja e vaksinave të gripit për të moshuarit. Ndërkohë do të vijojmë me vaksinimin e puonjësve të shëndetësisë, edukatorëve në çerdhe dhe kopshte dhe gjithashtu dhe grave shtatëzëna dhe kategorive të tjera në risk të cilat duhet që ta realizojnë këtë vaksinë për të parandaluar komplikacionet që mund të sjell virusi i gripit”.

Në fund ministrja uroi dhe mjekët e rinj që i shtohen këtë javë shërbimit shëndetësor nëpërmjet portal mjekë për Shqipërinë. Komunikimi javor është një tjetër mënyrë për të marrë nga qytetarët shqetësime që lidhen me shëndetësinë apo mbrojtjen sociale dhe në të njëjtën kohë për të adresuar çështje që do të përfshihen në axhendën javore të ministres.


Flash Lajme