Në qendrat shëndetësore dhe spitalin e Përmetit ka nisur shpërndarja e vaksinës antigrip për personelin shëndetësor dhe grupmoshat më të rrezikuara. Nga Shërbimi i Epidemiologjisë u bë trajnimi i gjithë personelit shëndetësor, mjekëve dhe infermierëve mbi vaksinën e gripit.

Personeli i trajnua për mënyrën e aplikimit, doza që aplikohet, indikacionet e kundërindikacionet, etj.

Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Përmet bën të ditur se aplikimi i kësaj vaksine ka filluar. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se janë në dispozicion të grupeve më të rrezikuara 138 mijë vaksina kundër gripit falas.

Vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të përdoren sivjet, janë të parakualifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Vaksinimi do të kryhet falas në çdo qendër shëndetësore dhe sipas specialistëve, është koha më e mirë për të bërë vaksinën tashmë që ende nuk ka qarkullim të virusit të gripit në vendin tonë.


Flash Lajme