Unë kam një vajzë 14 vjeç e gjysmë dhe ka probleme me komunikimin. I mbahet goja  duket sikur i bllokohen fjalët në grykë. Ju lutem çfarë duhet të bëj? Faleminderit!

Berjana Molla, Logopede, QSUT, përgjigjet :

Përshëndetje zonjë! Para së gjithash do ju kërkoja terapi me një  logoped dhe kjo duhet të realizohet sa më parë. Për sa i  përket ndihmës që mund t’i japë familja, por edhe shkolla, unë ju këshilloj:

Siguroni një ambient relaksues në shtëpi dhe në shkollë ( komunikoni me psikologun e shkollës).

Flisni në mënyrë të qetë dhe të ngadalshme, që vajza juaj të mos ndjejë presionin për të folur shpejt.

Gjithashtu kini parasysh që të gjithë anëtarët e familjes të flasin dhe të dëgjojnë me rradhë.

Dëgjojeni vajzën tuaj kur flet. Mos e ndërprisni, të korrigjoni apo përfundoni fjalitë e saj. Prisni deri sa të thotë atë që ajo do të thotë.

Është shumë i rëndësishëm besimi dhe siguria në vetvete që do përfitojë nga ju apo bashkëbisedues të tjerë. Mos harroni përveç rehabilitimit logopedik do t’ju kërkoja një bashkëpunim të fortë mes jush (familjes) dhe  shkollës( mësuesve të saj, psikologut).

Kjo e fundit është shumë e rëndësishme për ta ndihmuar me gjendjen e saj emocionale, por edhe për ta riintegruar në marrëdhënien me shokët, familjen ( nëse ka filluar të  ketë problematika). Me pak durim dhe shumë vullnet do ja dilni mbanë. Ju uroj më të mirat!

*Për çdo pyetje ose këshillë ju mund të kontaktoni me logopeden Berjana Molla, në adresën e emailit : [email protected]

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP


Flash Lajme

Më të lexuarat