Konsumimi i përditshëm i mishit të kuq apo të përpunuar, edhe në sasitë më të vogla, mund të rritë rrezikun e sëmundjeve të rënda të stomakut.

Një studim gjashtëvjeçar i Universitetit të Oksfordit me pjesëmarrjen e rreth gjysmë milion grave dhe burrave anglezë të moshës 40 deri 69 vjeç ka treguar se dietat me bazë mishin e kuq shtojnë me gati 20 për qind rastet e kancerit të zorrëve.

Ndër produktet më të zakonshme të mishit që mendohet se sjellin dëme në trupin e njeriut janë proshutat, sallamrat, pançetat, por edhe vetë mishi origjinal i qingjit apo i viçit i konsumuar në sasi të mëdha më shumë se katër herë në javë.

Studimi nxori se 40 në çdo 10 mijë pjesëmarrës që u bënë pjesë e kërkimit shkencor duke konsumuar në ditë të paktën 21 gram mish të kuq apo të përpunuar, u diagnostikuan me kancer të zorrëve.

Rastet e sëmundjes vdekjeprurëse u rritën gradualisht me shtimin e sasisë së mishit të konsumuar.

Studiuesit fajësojnë si faktorë më të dëmshëm kryesisht kimikatet që përdoren për përpunimin e mishrave, por edhe lëndët kancerogjene që prodhohen nga pjekja e mishrave me prush druri apo qymyri.

Në bazë të studimit, rekomandohet që mishi i kuq apo i përpunuar të konsumohet jo më shumë se dy herë në javë, edhe pse çmohen vlerat e tij si burim proteinash, vitaminash dhe mineralesh.

Ndërkaq konsumimi i ushqimeve sa më të pasura në fibra, si drithërat, bizelet, fasulet, bajamet apo brokoli mendohet se kanë një efekt mbrojtës te stomaku dhe gjithashtu janë të dobishme për zemrën.


Flash Lajme