Flasin troç për Teatrin politikanët, sociologët dhe artistët

Egla Xhemali



Ka kohë që ndërtesa e Teatrit Kombëtar është një nga çështjet më të diskutuara. I përngjajnë jo pak dilemës hamletiane: Ta prishim apo mos ta prishim? Nëse flasim për identitetin e një kombi, patjetër që do i referohemi vlerave të tij kombëtare, ato që e bëjnë të spikasë ndër të tjerë.

Teatri, nga ana estetike nuk i përmbush kushtet për të shijuar ashtu siç duhet një vepër të mirë të ngjitur në skenë nga aktorët, megjithatë gjithçkaje i gjendet një zgjidhje. Disa ndërhyrje në të do i kthenin madhështinë e merituar skenës, që mbart me vete një pjesë të mirë të kujtimeve që tanimë janë kthyer në identitet. Zëra të njohur të gjigantëve të skenës, po gëlojnë duke kërkuar mosprishjen e asnjë pjese të tij. Ka kohë që artistët shprehen njëzëri për vendimin kundër cenimit të ‘shtëpizës’ që e kanë ndërtuar me shumë mund, përmes roleve të tyre. Përveç aktorëve dhe qytetarëve që janë indinjuar nga ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar, një pjesë e mirë e intelektualëve dhe personazheve publikë në vend, kanë dhënë një prononcim për “Gazeta shqiptare” duke argumentuar mendimin e tyre. Ajo që vëmë re nga figurat e njohura është fakti që ata janë në mbështetje të plot të aktorëve dhe rrëzimit të ligjit për shembjen e teatrit. Më poshtë ju sjellim disa prej tyre.

Entela Binjaku- Një vështrim i sociologes së njohur

Sociologjia aktuale ka lindur si një instrument dëgjimi dhe rregullimi në një shoqëri që braktisi një sistem, një traditë, dhe nisi ndërtimin e sistemit të ri shoqëror. Bashkë me të lindën edhe shumë dukuri matja e të cilave bëhet përmes metodave të ndryshme. Ndër to janë metodat cilësore ku më të njohurat janë: intervistat, vëzhgimi si dhe historitë jetësore ose analiza e gjurmëve. Aktualisht tek sociologët mbizotëron prirja e përdorimit të asaj metode që nxjerr në dritë sa më shumë aspekte të një çështjeje. Shkatërrimi i një gjurme nënkupton heqjen nga mundësia e përdorimit të një metode. Cili sociolog do ta dëshironte këtë?! Përkundrazi, sociologët e kulturës dhe antropologët do të luteshin që të konservohej një e tillë. Kështu do të mund të mbështeteshin më mirë për të shpjeguar më thellë shoqërinë tonë. Çështjet dhe pyetjet që lindin para sociologëve sot janë: pse shoqëria jonë është kaq e varfër, pse ka kaq shumë krime, pse pabarazitë janë në rritje, pse mungesa e strehimit është në rritje, po emigracioni pse nuk ndalet, pse lindim kaq pak, pse fshatrat janë boshatisur etj.

Ndaj edhe të diskutosh për teatrin mund të duket paradoks, aq me tepër kur kaq e kaq njerëz janë shprehur me veprime e me fjalë për të. Por secili prej nesh ka një rol në jetë dhe përpara se të jetë profesionist, është një njeri, një individ që ka edhe një jetë kulturore që ka nisur diku, dikur. Ka mjaft qytetarë të Tiranës për të cilët jeta kulturore ka nisur dhe është e lidhur me këtë godinë. Zhdukja e saj nënkupton edhe zhdukjen e një të kaluare, tek ata është si të kesh fshirë me një klik, faza të caktuara të jetës, dhe këtë ta kesh bërë tek breza të ndryshëm. Meqë kjo Godinë është e papërshtatshme për të mbajtur shfaqje po përpiqem të imagjinoj sesi do të isha ndjerë nëse kjo do të ndodhte me kinoteatrin Bylis, në qytetin tim, ku për herë të parë u afrova me botën e magjishme që ka arti teatral. Po për fat ajo godinë ju nënshtrua riparimeve dhe sot ndjesia e rikthimit në të është mjaft pozitive.

E kaluara është aty, krah të tashmes me një vizion që besoj se synon drejt së ardhmes afatgjatë. Periudha më e rëndësishme e formimit kulturor në rastin tim, por edhe të mijëra fëmijëve të familjeve shqiptare lidhet me periudhën e studimeve të larta. Unë këto studime i kam kryer në Bukuresht. Në çdo rikthim timin atje kam parë së paku një shfaqje. Sepse ai qytet ka më shumë se 20 godina teatrore. Teatri Kombëtar atje i ka kaluar 160 vjetët. Godina ku ndodhet aktualisht ai teatër i kaluar tashmë 46 vjetët. Në dijeninë time pas ndërtimit kësaj godine ju shtua edhe një sallë e katërt, por pa u prishur tre të tjerat. Apo teatri Cëndërikë që i ka kaluar 75 vitet dhe me kalimin e viteve është kthyer në një qendër edukimi. Falë investimeve të bëra godina është kthyer në një qendër depozite për shfaqje për të rinjtë dhe adoleshentët. Ata kanë shtuar edhe një sallë verore apo një teatër të lëvizshëm nëpër lagje. Pra, nuk kam dëgjuar që ajo të prishet sepse do ribëhet një më e mirë. A thua ata artistë nuk kanë dëshiruar sikundër një sallë apo një godinë më dinjitoze?!

Apo teatri Jon Kreanga, ku u ofrohen shfaqje fëmijëve nga 0-12 vjeç, prindërve dhe mësuesve të tyre. Teatri daton në 1965 dhe kur u rikonstruktua dy vite më parë shfaqjet u transferuan deri në rikthim. Por unë nuk dëgjova se ky teatër u rrafshua për t’u bërë një i ri. Për ata që e njohin Teatri Odeon në vitin 2011 mbushi 100 vjeç. Sot ai ka një repertor që ka nisur në vitin 1946. Bombardimet e vitit 1945 e dëmtuan mjaft por as në atë rast teatri nuk u rrafshua. Shembujt janë të shumtë. Madje jo vetëm kaq por çdo teatër e ka për krenari historikun e ndërtesës, që daton dekada më parë, ku nuk mungojnë as emrat e arkitektëve apo të financuesve dhe ndryshimet që kanë pësuar gjatë viteve falë nevojave.

68885808_2135929979846939_5381137823346720768_n69517166_387563288629106_7780391998971707392_n68495355_393355284572580_7113412319824052224_n69068694_2476474032373658_7090615028553875456_n68671934_505604040198350_5028720556820660224_n69044920_1333535693489734_3864285000807481344_n
<
>

Nada Meçorrapaj

Shembja e Teatrit Kombëtar është një akt i paprecedent në historinë e kulturës dhe të politikës. Është një akt i korrupsionit shtetëror dhe i piraterisë politike. Është një vjedhje e pasurisë dhe hapësirës publike dhe kalimi i saj te privati, jo për interesa zhvillimi, por personale dhe financiare. Të gjithë jemi për teatër të ri dhe modern, por jo për prishje të Trashëgimisë kulturore. Teatër të ri, madje disa, por jo trajtimi i tyre si imobiliare dhe si mundësi pasurimi dhe korrupsioni.

Endri Prifti

Mua pëlqen ideja që në qendrën e kryeqytetit të ketë ndërtesa të larta e të bukura, për të krijuar atë Down town, si në gjithë shtetet e botës, por mund ta krijojnë atë edhe pa prishur teatrin që ka vlerat e trashëgimisë të vendit tonë, me një arkitekturë tjetër. Këto më duken kleçka për të krojtur dhëmbët. Luajnë me popullin tonë, për të hequr vëmendjen nga gjëra shumë më madhore që i përkasin këtij momenti. Teatri për të gjitha palët është thjesht për të mbrojtur dhe pasuruar interesat e tyre me shuma marramendëse. Duhet zgjidhur kriza e varfërisë dhe fukarallëkut më parë, pastaj të mendojmë për lukset. Populli i thjeshtë nuk ka bukë të ushqehet dhe këtë e dinë fort mirë të gjithë, këta luajnë hapa dollapa kush është fshehur mbrapa. Në qoftë se të gjitha palët do shihnin prioritet ndihmën e popullit për ta nxjerrë nga kriza, kjo do të zgjidhej pa asnjë zhurmë nga të gjitha palët.

Jerida Sakaj

Jam kundër prishjes se Teatrit. Duhet të ruhen vlerat kulturore të vendit.

Kreshnik Spahiu

Rama e ka sajuar luftën për Teatrin dhe aktron kot çdo ditë për të fshehur kriza më të mëdha. E amplifikon në media debatin sa herë që do të shkëpusë vëmendjen e publikut nga ndonjë skandal qeveritar. Troç, Rama e përdor Teatrin si alibi. Ai nuk do ta prishë godinën e Teatrit, por ka shpikur karremin për të peshkuar gjithë aktorët politik dhe jo politik, artistik apo mediatik. Ka hedhur një gurë në lumë dhe janë mbledhur të gjithë dhe nuk po e nxjerrin dot. Ka nxjerr 2000 policë bashkiak dhe shtetëror, e pas tyre kanë rendur të përplasen të gjithë! Ata protestojnë për gardhin e Teatrit, dhe Rama nga krahu tjetër morri çelësat e 61 bashkive. Ata protestojnë për rrangallën e Teatrit, dhe Rama mbush Gjykatën e Lartë me njerëzit e tij. Ata futen në sallën e Teatrit, ndërsa Rama fut njerëzit në Gjykatë Kushtetuese.

Ata flenë 24 orë tek dera e Teatrit, dhe Rama fut 24 kandidat tek SPAK. Ata betohen se do e rrëzojnë Ramën për gradaçelat imagjinare, ndërsa Rama merr në kontroll gjithë gradaçelat e pushteteve. Të gjithë i ka peshkuar dhe i shkojnë pas lojës së tij. Çdo ditë nxjerr ndonjë artist që flet për teatrin dhe mban larg në heshtje çdo jurist që mund të flas për pushtimin e institucioneve. Që media kontrollohet dhe manipulohet këtë e kupton çdo kush. Që populli është turmë qorre dhe përdoret edhe kjo është e qartë. Tani na mbetet të kuptojmë pse Lulzim Basha hoqi dorë nga revolucioni, dorëzoi si skuth çelësat e bashkive dhe spostoi njerëzit tek gardhi teatrit. Zhurma për teatrin u intereson të gjitha palëve. Kush ka sy ta shikojë do e kuptojë se Teatri është shndërruar në estradë.

Rati

Mendoj se na duhet një Teatër i ri me kushte bashkëkohore as që diskutohet, por që të qëndroj si vlerë kulturore është mirë. Me gjithë këto zëra nuk po merret vesh se si do përfundoi ai vend. Unë jam në mbështetje të plotë të aktorëve. Mendimi im është të rikonstruktohet teatri, që mos t’i humb identiteti.

Alba Bajrami

Teatri Kombëtar vërteton kulturën e një periudhe të caktuar të kombit shqiptarë dhe duhet ruajtur e mbrojtur. Ndryshe, do të thotë mohim i identitetit të kulturës shqiptare. Unë jam për moscënimin e historisë e për sa kohë mendoj kështu them se doemos Teatri nuk duhet të shembet.


Flash Lajme