Egla Xhemali – Vepra teatrore “Historia e kopshtit zoologjik” ka mbledhur në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” një kast aktorësh të suksesshëm. Veprën e autorit Edward Albee e ngjiti mbi skenë regjisorja Eni Jani.

Në thelb të saj trajtohet komunikimi ndërmjet njerëzve, si aspekti më i rëndësishëm i mbarë civilizimit. Me pjesëmarrjen e aktorëve Genci Fuga dhe Kristian Koroveshi ishte i pritshëm suksesi. Eni Jani është nga emrat më të vlerësuar të jetës artistike në vend. E dashur për rolet në teatër dhe filma, këtë herë Jani vesh petkun e regjisores. Për “Gazeta shqiptare” aktorja tregon se ishte shumë e qartë në punën e saj dhe atë që u kërkonte aktorëve për rolet në skenë. Më tej, Jani zbulon edhe disa detaje të tjera përtej jetës artistike. Një shpirt i bukur si i ai i Enit, nuk harron të ndajë me ne edhe frazën që e ndihmon për të nisur ditën mbarë.



Sapo keni vënë në skenë një histori për kopshtin zoologjik. Si e keni aktualizuar për publikun?
Këtë ma ka bërë autori shumë të thjeshtë. Është një pjesë që nuk ka nevojë për t’u përpjekur ta aktualizuar, sepse është aktual në çdo vend, shoqëri. Është globale si pjesë.

Cila ka qenë dubla që është përsëritur disa herë?
Për dy muaj është punuar e gjithë pjesa shumë intensivisht nuk di të them cili moment. Kam qenë shumë kërkuese për çdo batutë.

Seriali “Njerëz dhe fate” vazhdon të pëlqehet edhe sot. Çfarë kujtoni me ëndje nga personazhi juaj?
Kujtoj çdo gjë me shumë dashuri nga ai serial. Jo vetëm se është roli i parë imi, por dhe marrëdhënia me aktoret e regjistrin. Do theksoja marrëdhënien me Robertin dhe Pavlinën.

Përtej skenës, sa e kujdesshme është Eni me vajzat?
Vajzat janë prioriteti im. Çdo gjë që bëj është për to. Jam shumë e vëmendshme kundrejt çdo gjëje që ka lidhje me to.

Këshilla që u jepni më shpesh atyre?
Janë të vogla dhe i këshilloj sipas rastit. (Në këtë shoqëri që po shkon gjithmonë e me shumë drejt sipërfaqësores s’di a do u vlejnë këshillat.)

Ju keni pohuar se Genci gatuan mirë. Cila është pjata që e ka specialitet dhe juve ju pëlqen më tepër?
Domethënë ka disa gjëra që ka dëshirë ti bëjë Genci. Por, ne preferojmë petulant!

Çfarë nuk ka ndryshuar te Genci që nga çasti kur jeni takuar për herë të parë?
Kjo është çka vlerësoj dhe më pëlqen se nuk ka ndryshuar asgjë në karakterin e tij. Vetëm pak kilet. (qesh)

Nga rrjedha e kohës, keni ndonjë peng?
Të gjithëve u ndodh. Nuk dua t’i shoh si pengje, por si mësim.

Një frazë që ju ndihmon ta nisni ditën mbarë?
Mendo pozitivisht!


Flash Lajme