Nga ANI JAUPAJ

Që ishte viti ’90, kur Eva Alikaj luante Anën te filmi “Jeta në duart e tjetrit”, nuk ka të bëjë me ca mundësi më shumë që patën njerëzit, apo lirisë që kishte nisur të valëvitej, përkundrazi!

Veshjet e viteve ’90-’95 nuk kanë as formë as ngjyrë, përfaqësojnë vetëm një fazë të përçudnuar të shqiptarëve që i kishin sytë nga thasët e refugjatëve.

Mirëpo, pikërisht në këtë film, veshjet e aktores Eva Alikaj kanë qenë nga më të zgjedhurat. Gjithë të vëmendshmit mund ta dallojnë që aktorja, ndryshe nga të tjerat, ka treguar në të gjitha rolet e saj një kujdes të veçantë ndaj veshjes. Rigorozitetin e jetës së përditshme, e çlironte vetëm kur vinte puna te veshja apo te ai pak tualet që mund të bënte kur nisi studimet në Akademinë e Arteve.

Në vitin 1985, kur shfaqej në teatrin “Pallati 176”, pak njerëz në Shqipëri mund të kenë ngelur pa komentuar xhinset e Evës, ndërsa në Tiranë ato ishin bërë të famshme që gjatë provave. Rebelizmin e aktores Eva Alikaj, ende pa u afirmuar si e tillë, e njihnin të gjithë në Akademinë e Arteve kur ishte studente. Ishte bërë disa herë problem për pantallonat e ngushta, fustanet ca më të shkurtra se norma dhe tualetin që i pëlqente ta bënte gjithnjë, më të dukshëm se shoqet.

Ishte e bindur se, nuk kishte asgjë të keqe në të bërit e gjërave siç i pëlqen. E pohonte këtë edhe kur i tërhiqnin veshin në ndonjë mbledhje me dyer të mbyllura. Mirëpo, në rrethana të tjera, kur regjisorët i kërkonin të realizonte ndonjë skenë me të cilën koha nuk pajtohej, ajo refuzonte.

“Isha bërë një herë problem në Akademi, kur isha studente, pikërisht për shkak të natyrës rebele. Kanë thirrur tim atë të më përjashtonin nga shkolla pse bëja tualet apo vishja pantallona të ngushta. Këtë e bëja sepse isha e bindur që nuk po bëja asgjë të keqe. Madje, për çështje të tilla, u imponohesha regjisorëve të bëja ca gjëra përtej rregullave. Thuajse në çdo film o teatër, unë çoja diçka nga vetja. Më kujtohet, te ‘Pallati 176’, xhinset, pulovra, ora, kapësja e flokëve, të gjitha ishin të miat. U bë problem atëherë kjo gjë, megjithatë më lejuan. Në rolin e Elsës, ka qenë dublante Elvira Diamanti dhe ndryshe nga unë, ajo ishte e veshur me sarafan.

Për çështje të tilla, kam qenë unë që kam kërkuar më shumë se ç’lejonte koha”. Ka qenë në teatrin “Monserati” kur kishte zgjedhur për të veshur një fustan me rripa të hollë dhe me dekolte të hapur. “Dukesha mirë, më pëlqente ai fustan. U mërzita atëherë kur dëgjova Roland Trebickën që propozoi t’i vinin fustanit mëngë.

Në fund, ashtu u bë”, dhe nuk ishte vetëm problem i të tjerëve, se ç’do mendonte a komentonte publiku. Së pari, duhej zgjidhur çështja mes aktorëve burra të cilët po e tregonin aq haptazi hutimin prej dekoltesë, sa duheshin marrë masa në mënyrë që të vazhdonin provat.

Edhe sot që filmat nuk janë më si dikur, por që mbi të gjitha kur secili ka pafundësi zgjedhjesh dhe askush nuk censuron askënd, aktorja Eva Alikaj vazhdon të jetë e veçantë në thjeshtësinë e zgjedhjeve të saj. Edhe kur është duke shëtitur nga liqeni, edhe kur ka zgjedhur një palë pantallona të shkurtra dhe nget biçikletën, por edhe kur shfaqet në evente (shihet gjithnjë më pak se të tjerat) që kërkojnë ca më tepër impenjim se xhirot e saj vetmitare. Në fund, çfarëdo që të vesh, me fizikun që ka, do të dukej njësoj tërheqëse dhe, sepse, me një ajër të ndryshëm nga koleget e saj…/ I.M-Panorama