Pamela Aliaj – Këtë vit, një ndër eventet më të rëndësishme realizohej në Kanë dhe ishte festivali i filmit si dhe galaja bamirësisë së quajtuar AmFar, e cila nisi të enjten.

Përveç VIP-ave të famshëm mbarëbotërorë, këtë vit ne pamë që për çudinë e të gjithëve kishte një numër të konsiderueshëm edhe të VIP-ave tanë shqiptarë.  Kush u prezantua vetëm e kush me partner e kush me miq të rinj të famshëm, të gjithë shndritën nën prozhektorët e tapetit të kuq këto ditë. Ndër ta përmendim blogeren e njohur Armina Mevlani, e cila u takua në event me modelen Heidi Lushtaku,  ku kjo e fundit vetëm pak ditë më parë kishte takuar dhe bërë foto me këngëtaren e njohur Selena Gomez. Gjithashtu, tapetin e kuq e shkelën edhe Albana Osmani duke bërë foto me bukuroshen mbarëbotërore Adriana Lima dhe nënën e Kim Kardashian, Kris Jenner. Për detaje të mëtejshme ndiqni listën e mëposhtme me VIP-at shqiptarë në Kanë dhe AmFar.  Kujtojmë se festivali në Kanë nisi në 14 maj dhe përfundon ditën e sotme.



 Albana Osmani me Adriana Limën dhe Kris Jenner

Të gjithë kemi shoqe që na duan dhe na bëjnë qejfin, ndonjëherë edhe më shumë sesa duhet. Madje, ato e kuptojnë të parat kur kemi nevojë për ndonjë motivim dhe komplimentet e pakursyera të mikeve na e ngrenë nivelin e humorit! Por, shoqet, mikeshat dhe fansat e Albana Osmanit janë më të ëmblit në botë! Ata janë edhe më të kthjellët kur idhulli i tyre Albana Osmanit pozon me “mikeshën e saj” Adriana Lima. Por, tashmë Albana ka mundur të afrohet edhe me Kris Jenner, mamanë-menaxhere të motrave Kardashian- Jenner duke shkrepur edhe një pozë me të. “Me mamin seksi Kris Jenner”, shkruan Albana, “Po po, po e shijoj galanë AmFar. Me njerëz të bukur dhe të mrekullueshëm.”

Armina Mevlani me Heidi Lushtakun dhe Chiara Ferragami

Takimi i Arminës me blogeren e famshme Chiara Ferragni, në Kanë, u bë lajm i ditës në mediat dhe portalet shqiptare. Ca “punë gocash” që dy blogeret kanë diskutuar me njëra-tjetrën u komentuan gjatë edhe pas ngacmimeve të vetë Arminës në Instagram me ndjekësit e saj. Armina Mevlani ka mundur të bëjë realitet ëndrrën e saj të adoleshencës duke veshur fustanin e markës së saj të preferuar. Në Festivalin e Filmit në Kanë, blogerja shqiptare e pranishme në premierën e filmit “Once Upon A Time In Hollywood” ka parakaluar e veshur me një fustan Vivienne Westwood, një emër që ajo e ka adhuruar që herët. “Në moshën 19 vjeçare kur mora shpërblimin e parë në punë, gjëja e parë që bleva ishin një palë këpucë Vivienne Westwood, aq shumë e adhuroja”,- shkruan Armina në postimin e bërë në rrjetet sociale. Jo vetëm kaq, por 27-vjeçarja ka rrëfyer edhe emocionet e saj të para kur stilistja e njohur me famë botërore i dërgoi në Tiranë fustanin që ia kishte besuar  shqiptares për ta veshur në Kanë. “Sot në tapetin e kuq vetë Vivienne Westwood më dhuroi këtë fustan të mrekullueshëm për të parakaluar në premierën e filmit “Once Upon a Time in Hollyëood”. Kur ky fustan mu dërgua në Tiranë mu mbushën sytë me lot, sepse nuk e kisha menduar kurrë që një ëndërr e tillë do bëhej realitet”.

Aurela Hoxha

Aurela Hoxha është një ndër modelet më të njohura të showbizit, e cila prej disa kohësh po bashkëjeton në Spanjë me të dashurin biznesmen, i cili quhet Alban. Vazhdimisht në postimet e saj në rrjete sociale, Aurela tregon për ndjekësit jetën luksoze, ndërsa së fundmi ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve pasi ka shkuar me helikopter privat në Kanë. Modelja ka ndarë me ndjekësit në ‘Instastory’ një foto ku shfaqet pranë helikopterit, ndërsa krahas fotos ka treguar vendndodhjen.

Dua Lipa

Dua Lipa bashkë me Kendall Jenner, Eva Longoria dhe Adriana Lima kanë shkëlqyer dje në gala mbrëmjen AmFAR që ka filluar të enjten gjatë edicionit të 26-të të festivalit të Cannes. Dua në këtë mbrëmje ka pasur të veshur një fustan asimetrik me pupla derisa është cilësuar si njëra prej vajzave me fytyrën e saj me të jashtëzakonshme dhe me të bukur në këtë event. Krijuesja e hiteve të shumta, Dua ka pasur edhe flokë që i përshtateshin me modën e saj. Këngëtarja e “The Hotter Than Hell” ishte glamuroze edhe sa i përket bizhuterive ku kishte një qafore argjendi dhe vathë të lëshuar poshtë në formë të gjarprit.

Rolando Lekaj

Këtë vit, ka patur plot shqiptarë në Festivalin e Kanës. E megjithatë, ai që u prit me pekule nga vetë AmFar Gala, ishte Rolando Lekaj, modeli  shqiptar që është i martuar me sipërmarrësen kineze Yu Wenhong. Ronaldo dhe Yu ishin mes personaliteteve që u shfaqën në ‘Instagram’-in zyrtar të AmFar Gala, teksa parakalonin në tapetin e kuq. Vitin e kaluar, Rolando ofroi 1,6 milionë dollarë në ankand duke u shpallur ofertë fituese për blerjen e një koleksioni fustanesh. Disa ditë më parë, ai ftoi në jahtin e vet Ermal Mamaqin, për të parë bashkë “Dy Gisht Mjaltë”. Të ardhurat nga AmFar Gala shkojnë në ndihmë të kërkimeve për AIDS-in.