Jurgen Klopp është një trajner i madh dhe këtë gjë e ka treguar dhe në sezonin e fundit duke triumfuar në finalen e Champions League. Një sezon më parë, Liverpooli i tij u dërrmua 3-1 nga Real Madridi.

Sigurisht që përballë ekipit me më shumë trofe në kompeticionin më të rëndësishëm presioni është shumë i madh, por Klopp edhe para asaj sfide e ka bërë si duhet punën e tij, duke hequr presionin me një gjest vërtet qesharak, zbulon mesfushori holandez, Georginio Wijnaldum, për “Goal.com”.

Duke qenë i vetëdijshëm për presionin e madh që kishin lojtarët e tij para finales së Kievit, trajneri gjerman shkoi në një takim me futbollistët pasi kishte veshur bokserat e markës së Cristiano Ronaldos.

“Ne pamë se ai kishte veshur mbathje të shkurtra (boksera) të Cristiano Ronaldos. Këmishën e kishte futur pikërisht në mbathjet që kishin logon CR7. Të gjithë futbollistët në dhomën e zhveshjes u shtrinë në dysheme duke qeshur. Ky episod me të vërtetë theu akullin. Zakonisht në ato situata, të gjithë janë seriozë dhe të përqendruar. Por ai ishte i qetë dhe e bëri këtë shaka. Klopp ka bërë me qindra shaka të tilla. Nëse shihni se menaxheri juaj është me të vërtetë i sigurt dhe i qetë, do të ketë efekt tek lojtarët. Ai bën figurën e babait me ato gjëra për lojtarët. Me shakatë dhe gjuhën e tij të trupit, ai u heq presionin e lojtarëve.

Kur kam probleme, mund të shkoj gjithmonë tek trajneri. Mund ta pyes nëse ai ka një minutë kohë për mua. Ai është gjithmonë kurioz dje pyet nëse është diçka e keqe apo e mirë. Klopp gjithmonë përpiqet të bashkëjetojë me personin tjetër, ta ndiejë atë që ai po kalon. Ai është një njeri me të vërtetë i veçantë. Më shumë sesa trajner, e konsideroj një mik të mirë. Të gjithë më pyesin se si është si person. A është e rreme ajo që bën në stol? Jo, kështu është ai. Edhe në stërvitje ai është i njëjti”, deklaroi Wijnaldum.

Flash Lajme