Emmanuel Mensah nga sot nuk është më një futbollist i Partizanit. Sulmuesi ganez i cili nën drejtimin e Skënder Gegës gjatë sezonit të kaluar u aktivizua në 30 takime në kampionat me të kuqtë duke shënuar dhe 5 gola, i ka dhënë lamtumirën klubit kryeqytetas.

Partizani me një njoftim në faqen zyrtare ka bërë publik largimin e Mensah duke i uruar suksese në karrierën e tij të mëtejshme. Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë destinacioni i ardhshëm i 25-vjeçarit i cili në Superiore ka mbajtur veshur edhe fanellën e Laçit.

“Klubi i Futbollit Partizani falënderon Emmanuel Mensah për kontributin e dhënë me fanellën e kuqe. Sulmuesi nga Gana i cili ishte pjesë e suksesit të fitimit të titullit kampion, ka vendosur të ndërpresë aventurën me të kuqtë duke gjetur edhe mirëkuptimin me drejtuesit e klubit. Nëpërmjet kanalit zyrtar, sulmuesi 25 vjeçar falenderon klubin duke i uruar suksese në sezonin e ri, si dhe tifozerinë e Partizanit, e cila do të mbetet pjesë e paharruar në eksperiencën e tij 1 vjeçare duke u shpallur kampion i Shqipërisë. Njëkohësisht klubi dëshiron të falënderoj Emmanuel Mensah, duke i uruar shumë suksese në karrierën e tij sportive”, shkruan klubi i Partizanit.

Flash Lajme