Cristiano Ronaldo nuk tregohet aspak modest kur vjen puna te karriera e tij. Në një intervistë për mediat portugeze ku zbuloi edhe oborrin e shtëpisë së tij luksoze nga e cila shikohet i gjithë qyteti i Torinos, Cristiano Ronaldo ka folur për disa tema.

“Kush fiton ka gjithmonë të drejtë, mendoj se asnjë nuk mban më shumë rekorde se unë. Nuk është rastësi që unë dhe Messi jemi të vetmit që kemi fituar nga 5 herë Topin e Artë”, tha fillimisht CR7.

Ronaldo ka shpjeguar edhe njëherë se përse zgjodhi Juventusin pas 9 viteve fantastike te Reali i Madridit: “Pas eksperiencës me Realin doja një sfidë të re, kjo ishte një sfidë tërheqëse për mua sepse bardhezinjtë gjithmonë më kanë pëlqyer”.

Nga Juvja te ardhmja e tij, kur do të vijë momenti që CR7-ta do të tërhiqet nga futbolli i luajtur: “Mund ta mbyll karrierën vitin e ardhshëm por mund të luaj edhe deri në moshën 41-vjeçare. Gjëja më e rëndësishme është të shijoj momentin. Prandaj zgjodha Juven sepse këtu kam qenë i motivuar që ditën e parë dhe dua të fitoj gjithçka me këtë klub”.

Në fund një mendim për çështjen Mayorga nga e cila Ronaldo është shpallur i pafajshëm por edhe për vlerën e tij në merkato: “Kur vënë në dyshim ndershmërinë tënde normal që do të ndihesh keq. Kam një partnere, kam 4 fëmijë, njëri prej tyre është 9 vjeç dhe është inteligjent. Në shtëpi hynin të gjitha këto lajme për faj të gazetave, por falë zotit u demonstrua që jam i pafajshëm. Vlera ime në merkato? Sot kushtojnë të gjithë shumë. Fillohet gjithçka nga 100 milionë euro dhe shoh mbrojtës që shiten nga 75 milionë euro, ndoshta tashmë unë vlej 3 apo 4 herë më shumë”.

Flash Lajme