Nga Bardhyl Minxhozi (administrator i stadiumit)

Njoftimi i FSHF në kërkim të një sponsori për stadiumin e ri për ta vënë administrimin e tij mbi baza komerciale, është pritur me interes nga disa firma me reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar.

FSHF, duke mirëkuptuar ndjeshmërinë e publikut në lidhje me këtë proces, dëshiron të bëjë me dije se vendimi i saj, për gjetjen e një sponsori për stadiumin e ri nuk është një shpikje shqiptare. Vetëm dy-tre stadiume në “Premier League” nuk kanë emra tregtarë: Liverpool, Old Trafford dhe Tottenham.

Ekspertët vlerësojnë që arsyet që këta të fundit nuk kanë bërë marrëveshje për “shitjen” e emrit lidhen me faktin që historia e emrit tyre, “shet” më shumë sesa emri i një sponsori. Shumica e stadiumeve me histori dhe tradita, qindra vjeçare kanë emra tregtarë. Ja disa shembuj në Europë dhe SHBA:

Amex Stadium- Brighton, Etihad Stadium – Manchester, Emirates Stadium – London, Allianz Arena – Munich, Mercedes-Benz Arena – Stuttgart, Orange Velodrome -Marseille, MetLife Stadium – New Jersey USA, FedExField – Maryland USA, Bank of America Stadium – North Carolina USA, AT&T Stadium – Texas, Gillette Stadium – Massachusetts USA

Stadiumi i Ri ka kushtuar shumë. Mirëmbajtja dhe menaxhimi i tij do të kushtojë gjithashtu shumë. FSHF nuk ka qëllim tjetër veçse të garantojë të ardhmen e këtij impianti. Dhe kjo është një rrugë e njohur dhe jo një “shpikje shqiptare”, siç e sqaruam me shembujt e mësipërm. Shqetësimi publik i segmenteve të cakturara “tifozo-pushtetare”, në lidhje me çështjen e emrit, s’ka të bëjë me thelbin e çështjes marketing ose jo, madje as me problemin e emrit. Është thjesht, përsiatje dhe këndvështrim i një personi, që në edicionin e radhës së përbaltjes, ende nuk e ka të qartë se si prononcohet: Si pushtetar apo si tifoz “i shqetësuar”, apo si politikan që kërkon kredo politike.

Por, pavarësisht kësaj, ne garantojmë opinionin publik, tifozët, madje edhe ata që nuk mendojnë si ne, se i gjithë ky proces do të zhvillohet, për të menaxhuar dhe mirëmbajtur sa më mirë një impiant modern dhe me vlera si Stadiumi i Ri.

Flash Lajme