Kukësi ka arritur që të marrë menjëherë hak ndaj Partizanit pas humbjes së Superkupës së Shqipërisë. Verilindorët kanë fituar 1-0 ndaj të kuqve, me një gol të shënuar nga pika e bardhë nga Shkurtaj.

Ndeshja nis e ekuilibruar me të dyja ekipet që japin sinjalet e para me Mustën dhe Telushin, por pa ndonjë rrezikshmëri të madhe. Sinjalin më të rrezikshëm do ta jepte Shkurtaj në minutën e 19-të, pas një aksioni të shpejt, por portieri Hoxha reagon mjaft mirë duke e pritur në dy kohë topin. Nuk do të vononte shumë edhe goli i parë për këtë sezon në Superiore, i cili do të vinte nga Vasil Shkurtaj.

Sulmuesi i njohur arriti që të gjejë rrugën e rrjetës në minutën e 38-të, pas një 11-metërshi të shkaktuar nga një ndërhyrje e gabuar e Boldor ndaj Ethemit Nga pika e bardhë Shkurtaj do të tregohej i saktë, duke mposhtur një specialist si portieri Alban Hoxha, i cili nuk arriti që t’i kuptonte as krahun e goditjes. Fraksioni i parë i ndeshjes do të mbyllej me këtë rezultat, ndërkohë që në fillimin e së dytë, Partizani futet me më shumë agresivitet në fushë, duke dhënë sinjalin e parë me Broën në minutën e 48-të. Me kalimin e minutave presioni shtohej te të dyja skuadrat. Në minutën e 62-të, sulmuesi i Partizanit Solomon e tepron duke goditur me kokë mbrojtësin e Kukësit, Solomon.

Ky i fundit e shtyn, duke e përplasur me Teqja, ndërkohë që arbitri, Enea Jorgji nuk e ka toleruar aspak sjelljet e tyre duke i ndëshkuar të dy me karton të kuq. 7 minuta më pas Mala me një inkursion të bukur në hyrje të zonës, arrin që të godasë shtyllën e majtë të portës së verilindorëve. Partizani nuk dorëzohet deri në fund duke krijuar të tjera mundësi, por nuk do të arrinin që të ishin të saktë. Kukësi ndërkohë arrin që të marrë 3 pikët e para në kampionat, duke fituar duelin e parë direkt ndaj skuadrës me të cilën do të luftojë për titullin kampion deri në fund, të paktën kështu duket në letër. /R.Lika-Koha Jone/

Flash Lajme