“Gazzetta dello Sport” ka publikuar ditën e sotme raportin e pagave të futbollistëve që luajnë në Seria A gjatë këtij sezonit. Sipas publikimit të të përditshmes më të madhe sportive italiane, më poshtë do ju sjellim edhe se sa përfitojnë lojtarët shqiptarë që luajnë në elitën e futbollit italianë.

Elseid Hysaj vazhdon të mbetet futbollisti shqiptar më i paguar. Mbrojtësi shkodran përfiton 1.6 milionë euro në sezon dhe ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2022 me ekipin e Napolit. Edhe pse u përfol shumë për një zgjatje të kontratës me të kaltrit, sërish nuk u gjet gjuha e përbashkët me drejtuesit.

Menjëherë pas tij vjen Thomas Strakosha. Portieri titullar i skuadrës së Lazios arkëton 1.2 milionë euro në sezon te bardhekaltrit dhe ka një kontratë gjithashtu deri në vitin 2022. Paraqitjet shumë pozitive në sezonin e fundit nuk e kanë ndihmuar që të jetë as në 10 më të paguarit te ekipi i Lazios, duke u renditur i 13-ti.

Pak më poshtë tij është portieri tjetër i kombëtares sonë, Etrit Berisha. 30-vjeçari përfiton 1 milion euro në sezon, duke qenë futbollisti i dytë më paguar te Spal, menjëherë pas Petagna-s.

Berat Gjimshitit zhvilloi sezonin e kaluar një super sezon me Atalantën, duke u kualifikuar edhe në grupet e Champions League, por kjo nuk e ka ndihmuar që të ketë një pagë më të lartë se 400 mijë euro. Kontrata e qendërmbrojtësit skadon në vitin 2022. Menjëherë pas tij është një tjetër mbrojtës, Kastriot Dermaku, i cili përfiton vetëm 180 mijë euro në sezon tek Parma, skuadër në të cilin u transferua gjatë kësaj vere. Marash Kumbulla edhe pse ka luajtur në vazhdimësi te Verona nuk është përfshirë në listën e pagave të publikuar nga e përditshmja italiane. /Rozalb Lika-Koha Jone/

Flash Lajme