Spanja është mbretëresha e basketbollit për vitin 2019. Pasi fitoi evropianin e femrave, skuadra iberike ngjitet në çatinë e botës teksa fiton Botërorin e kësaj disipline sportive në kategorinë e meshkujve, një titull të cilin ajo e fiton për herë të dytë pas atij të 2006.

Në Botërorin e Kinës, skuadra e Sergio Scariolos ishte thjesht perfekte teksa e mbylli turneun pa asnjë humbje, ndërkohë që njeriu i saj ishte pikërisht Ricky Rubio që u shpall lojtari më i mirë i turneut.

Në finale Spanja mundi Argjentinën me rezultatin 95-75 në një ndeshje të cilën e dominoi nga fillimi deri në fundin e saj duke mos i dhënë asnjë shans skuadrës argjentinase që të bëjë të njëjtën paraqitje si nëgjysmëfinale me Francën.

Spanja ishte e organizuar mjaft mirë në mbrojtje dhe shumë efikase në sulm. Nga ana e saj Argjentina duket se ndjeu mungesën e kontributit të Luis Scolës dhe Campazzos, ndërkohë që më i miri për të në parket ishte Gabriel Deck me 24 pikë të shënuara.

Momentet më të mira të sfidës Argjentina i pati në periodën e fundit, por ishte shumë vonë për të për të pëmbysur Spanjën që gjithsesi dinte të reagonte ndaj çdo tentative për t’u afruar të amerikanolatinëve për të mbyllur ndeshjen me 20 pikë diferencë dhe për të ngritur trofeun e kampiones së botës.

U mbyll me festën spanjolle ky eveniment kaq i rëndësishëm i basketbollit për meshkuj, emocionet e të cilit u përcollën te admiruesit e këtij sporti nga platforma Digitalb.

Flash Lajme