Në moshën 20 vjeç, Gigio Donnarumma ka luajtur 7 derbi, por ai i së shtunës e gjen në rolin e një lideri për skuadrën. Zvonimir Boban e ka konsideruar një ndër futbollistët më të rëndësishëm të ekipit, teksa gardiani i talentuar italian nuk ngurron që t’i përgjigjet.

“E falënderoj shumë. Unë kërkoj që të jap gjithmonë maksimumin, për t’i dhënë një dorë ekipit. Do të sillem si gjithmonë. Jam një djalë i thjeshtë, por fakti që kam shumë ndeshje, më bën edhe më të përgjegjshëm”, deklaroi fillimisht Donnarumma për “Dazn”.

Debutimin me Sinisa Mihajlovic – Portieri i talentuar italian ka debutuar në derbi me një fitore 3-0 në janarin e vitit 2016. Ai e sheh si të dytin, “triumfi i parë ishte në trofeun Berlusconi, por fitorja e parë në kampionat ishte një emocion i madh”. Në Milanin e atij sezoni, ai ishte titullar edhe falë besimit të madh që kishte Sinisa Mihajlovic, edhe pse ishte vetëm 16 vjeç: “Isha i emocionuar dhe disi i tensionuar. Më kujtohet një moment i veçantë, kur Sinisa më thirri për herë të parë, doja të merrja menjëherë familjen. Ishte fantastike, ai më kërkoi nëse kisha frikë që të luaja, por unë i thash ‘jo’. Ai është një luan. I uroj shërim të shpejtë dhe shpresoj që ta përqafoj sa më parë. Mihajlovic është një person që jep shumë, edhe gjatë ndeshjes të jep një motivim më shumë.

Handanovic dhe Romagnoli – Donnarumma nuk i kursen vlerësimet për kolegun e tij dhe sfiduesin e kësaj fundjave. “Handanovic është një njeri dhe portier fantastik, më pëlqen mënyra si e sulmon topin”. Në fushë një nga ata që e ndihmon më shumë është padyshim, Romagnoli. “Jemi shumë miq dhe kemi një raport të shkëlqyer. Një kapiten shumë i mirë që arrin të na japë diçka më shumë, jam shumë i lumtur që është me ne. Dëshira? Të arrij objektivat e mia me fanellën e Milanit”. /R.Lika-Koha Jone/

Flash Lajme