Policia e Kosovës sot nuk lejoi klubin serb të Crvena Zvezdës të hynte në territorin kosovar për të zhvilluar një ndeshje zyrtare të vlefshme për 1/16-at e Kupës së Serbisë ndaj skuadrës amatore mitrovicase Trepça, duke sjellë edhe reagimin e presidentit të Federatës Kosovare të Futbollit.

Agim Ademi i cili në një deklaratë për mediat ka shpjeguar arsyet se përse autoritetet kosovare nuk kanë lejuar klubin e Crvena Zvezdës të hyjë në Kosovë për të zhvilluar një ndeshje zyrtare me një skuadër nga Mitrovica Veriore.

“Ne kemi qenë në dijeni për tentimin për ta zhvilluar këtë ndeshje, të cilën e kemi kundërshtuar qysh nga fillimi dhe kemi kërkuar nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë ta përkrahin vendimin tonë për të mos e lejuar Crvena Zvezdën të hyjë në Kosovë. Ne kemi qenë gjithmonë për promovimin e sportit dhe kemi lejuar organizimin e ndeshjeve bamirëse dhe atyre miqësore, mirëpo asnjëherë nuk do ta lejojmë zhvillimin e ndeshjeve zyrtare të Serbisë në Kosovë, sepse është kundër statutit tonë dhe të UEFA-s. Për ne është e rëndësishme që të mos lejohet zhvillimi i ndeshjeve të tilla në territorin e Kosovës”, u shpreh Ademi.

Flash Lajme