Karriera e Elseid Hysaj te skuadra e Napolit nuk po merr drejtimin e dëshiruar. Mbrojtësi shkodran po vuan mungesën e hapësirave pas ardhjes në krye të skuadrës së Carlo Ancelotti, duke bërë që forma dhe vlera e kartonit të shkojë gjithmonë e në ulje.

Faqja e specializuar e vlerave të futbollistëve “Transfermarkt” në ndryshimin e fundit e ka postuar Hysajn në vendin e dytë nga futbollistët shqiptarë me vlerën më të lart. Tashmë ai vlen vetëm 18 milionë euro, duke zbritur me 7 milionë euro nga vlera e tij më e lartë që ka arritur në 25 milionë euro në vitin 2018.

Në vendin e parë qëndron Thomas Strakosha, i cili sipas sajtit gjerman ka vlerën 20 milionë euro. Portieri i Lazios pavarësisht gabimit në duelin ndaj Turqisë mbetet një nga portierët më premtues në botë. Në vendin e tretë ndërkohë qëndron një tjetër futbollist që luan në Seria A, Berat Gjimshiti (7.5 milionë euro). Protagonist në sezonin e fundit historik për skuadrë bergamaske që siguroi një vend në Ligën e Kampionëve. Gasperini vazhdon t’i besojë vendin e titullarit në shumë ndeshje edhe këtë sezon.

Në vendin e katërt qëndron Etrit Berisha, me 3 milionë euro, por futbollisti më i mirë i skuadrës së Spal në ndeshjet e para. Pritjet fantastike ndaj Juventusit, apo edhe në disa duele të tjera, kanë konfirmuar realet e tij fantastike. Më poshtë tij qëndron, talenti më premtues për momentin, Marash Kumbulla. Vetëm në pak ndeshje ai i ka bindur të gjithë se e pret një e ardhme në një klub të madh. 3 milionë euro, mund të duken qesharake pas disa viteve, kur ai të jetë shumë më i pjekur.

Rritje të vlerës ka njohur edhe Amir Abrashi (2.5 milionë euro), ndërkohë që Rey Manaj vijon të ketë vlerën 1.5 milionë euro. Sezoni sapo ka nisur, por disa prej futbollistëve që luajnë në Seria A, mund të përjetojnë ndryshime të mëdha në karrierën e tyre. /R.Lika-Koha Jone/

Flash Lajme