Një ndeshje e çmendur në Durrës, një fitore e jashtëzakonshme e Teutës, që përmbys Kukësin e projektuar për kampion dhe i merr vendin e dytë në renditje.

Në “Niko Dovana”, tifozët e kampionatit shqiptar kanë shijuar një nga ndeshjet më të bukura të këtij sezoni.

Një 90 minutësh që ka kurorëzuar fituese Teutën, e cila tashmë merr vendin e dytë dhe shndërrohet në antagonisten kryesore të Partizanit.

Bledi Shkëmbi kishte hedhur nga minuta e parë kroatin Tomislav Bushiç, ndërsa Cungu, sikundër ishte paralajmëruar, la në stol Vasil Shkurtajn për Rexhinaldon.

Sfida nis e shpejtë dhe menjëherë Teuta orientohet drejt sulmit, me Kukësin që has vështirësi të fitojë terren.

Në minutën e 27-të kemi një pengim në zonë të Kamara nga Xharia, por ndonëse kontakti është evident, kryesori Juxhin Xhaja ka preferuar të vijojë lojën.

Në minutën e 37-të do të zhbllokohet sfida, por golin e shënon Kukësi. Një gjuajtje e rreptë e Rexhinaldos nga rreth 20 metra shkon në këndin e poshtëm të Hidit, duke u dhënë verilindorëve epërsinë dhe me këtë rezultat ekipet shkojnë në dhomat e zhveshjes.

Edhe pjesa e dytë do të jetë fotokopje e së parës, Teuta këmbëngul, ndërsa Kukësi mbron rezultatin.

Në këtë fraksion loje do të jetë skuadra e Cungut që do të ketë rastin e artë për ta çuar ndeshjen në 2-0, por vetëm Rroca mund ta shpjegojë sesi e humbi atë rast përballë Hidit.

Shkëmbi shton forcat sulmuese duke hedhur Latif dhe Teuta menjëherë bën përmbysjen e madhe. Në minutën e 69-të një gjuajtje e Latif përplaset në dorën e Cuculit dhe Xhaja akordon një goditje dënimi, të cilën e merr përsipër Progni, që do të shënojë një eurogol.

Kukësi tronditet dhe do të pësojë golin e dytë. Tjetër goditje dënimi nga Progni, kësaj radhe harkim në zonë dhe pas amullisë do të shfaqet Renato Arapi që shënon golin e epërsisë për vendësit.

Kukësi do të hidhet i gjithi përpara sepse nuk ka çfarë më të humbasë, ndërsa në kohën shtesë, në goditjen e këndit të parë të ndeshjes, do të vijë 11-metërshi për verilindorët pas topit të prekur me dorë në zonë nga Osmani.

Do të jetë Ulliam Kordero ai që do të marrë përsipër penalltinë, por Isli Hidi pret deri në momentin e fundit duke mos u mashtruar nga braziliani dhe duke pritur këtë 11 metërsh, që sjell një festë të jashtëzakonshme në “Niko Dovana”.

Teuta fiton dhe feston me të drejtë me tifozët e saj, falë një loje shumë të mirë dhe një forme të jashtëzakonshme të Isli Hidit. Një fitore që i jep vendin e dytë, ndërkohë Kukësi pëson humbjen e dytë radhazi dhe tashmë te verilindorët situata është e paqartë.

Flash Lajme