Në prag të ndeshjes ndaj Laçit ka folur edhe mbrojtësi i klubit të Partizanit, Egzon Belica, një nga futbollistët më stabël në formacion gjatë këtij sezoni. 28-vjeçari i lindur në Strugë u ndal te sfida ndaj kurbinasve por edhe te ecuria e të kuqve në këtë sezon.

“Kur vjen tek ekipi i Partizanit qëllimet janë të qarta. Ne si futbollist, të mos them se e prisnim, por e dëshironim. Të tjerët ndoshta kanë qenë skeptikë për ekipin tonë, por ne e donim vendin e parë dhe e duam ende. Nuk ka ndonjë diferencë të madhe pikësh, kampionati ynë është i vështirë dhe ju e dini më mirë këtë. Duhet të bëjmë punën tonë dhe t’i marrim ndeshjet një nga një, duke filluar nga takimi i nesërm.

Suksesi i këtij Partizani nuk kanë qenë individët dhe mund ta them me plot gojën se ka qenë grupi. Kemi një grup shumë të mirë, si nga lojtarët si nga stafi. Ka funksionuar gjithçka sikurse duhet.

Laçi? Si në çdo sfidë tjetër do të futemi për të marrë fitoren, pastaj futbolli i ka të tri rezultatet brenda dhe nuk i dihet se si do të shkojë ndeshja. Nuk na frikëson diçka, por nuk duhet t’i marrim sfidat lehtë. Në ato momente e vëmë veten në vështirësi më të mëdha.

Rexhepi? Është lojtar shumë i mirë. Ai ka bërë mirë në 3 ndeshjet e para, por nuk është se e vendos unë se kush do të luajë. Kushdo që të jetë, jam i sigurt se mundohet të japë më të mirën.

Sulmuesi që ju ka vënë më në vështirësi? Nuk do doja të përmendja emra. Vjet, sulmuesi i Skënderbeut, Soëe, ka qenë me të vërtetë i fuqishëm. Na ka vendosur në vështirësi.

Laçi vjen pas dy humbjeve? Nuk do të thosha kështu. Laçi ka një ekip të mirë, edhe pse ka pasur vështirësi 2-3 javët e fundit. Kjo nuk do të thotë se do e kemi të lehtë. Duhet të futemi të përqendruar maksimalisht dhe të mundohemi të marrim më të mirën”, deklaroi Belica.

Flash Lajme