Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ka dalë në një konferencë për shtyp mesditën e sotme ku ka folur për të gjitha problematikat e klubit vlonjat. Nga dy largimet e fundit ato të Albi Allës dhe argjentinasit Torassa për të cilin Idrizi pretendon se është ende nën kontratë me Flamurtarit e deri tek problemet financiare.

“Me Albin kemi biseduar para 20 ditësh, kishte një ofertë të mirë dhe folëm si miq. Nuk biseduam si punëdhënës-punëmarrës. Kam qenë unë ai që i kam thënë, që me këto kushte dhe këtë pagë, të shkojë sa më shpejt atje. Sigurisht për klubin do të ishte një minus i madh, por vendosa të kem primare atë që përfaqëson Albi Alla. Ka qenë një futbollist korrekt dhe shpresoj që pas kësaj kontratë të rikthehet në Vlorë. Unë i uroj suksese dhe pres ngjitjet e tij.

TORASSA – “Ekziston një çështje. Ai ka qenë shumë korrekt në të gjithë aspektet. Klubi ka qenë pjesërisht jo korrekt me të. Në momentin që kërkohet një bashkëpunim i një lloji tjetër, bëhet shantazh dhe klubi me anë të një avokati do e padisë. Është rasti i dytë ose i tretë që na bëhet shantazh. Ditët e fundit Torassa vendosi të largohej. Nuk kemi mirëkuptim në largim, shpresoj të zgjidhim. E përsëris, Albi është histori tjetër, Torassa tjetër. Unë e kuptoj arsyen ekonomike, që të shkosh në një klub ku merr 30 mijë euro pagë në muaj, dhe është krejt normale. Mund të ishim ndarë edhe në një mënyrë tjetër”.

DANILO ALVES – “Kam një marrëveshje me djalin e tij. Danilo është realisht në Kazakistan, në një vend ku nuk ka det. Jam i sigurt që shumë shpejt do të kthehet në Vlorë. Nuk dua të hyj në batuta. E pres dhe e dua shumë”.

LARGIMET PA FUND – “Nuk do doja të ndodhnin. Përgjegjësia së pari bie mbi mua, por edhe te këta që janë pronarët e Flamurtarit: anëtarët e Këshillit Bashkiak”.

BASHKIA – “Minimumi të shkruajnë një letër dhe të thonë ‘e morëm dhe kemi këtë përgjigje’. E kam thënë shpesh, më vjen keq për gjithçka ndodh dhe do të më duhet të gjej mënyra të tjera. Nëse Këshilli Bashkiak nuk gjen kohë të na kthejë përgjigje, nuk e kuptoj ç‘ndodh. Flitet për komisione, por nuk na sjellin përgjigje. Nuk dua financim nga Këshilli Bashkiak. Unë kam bërë disa investime, le të mos i njohin, por për arsye procedurale të kthejnë një përgjigje. Më thoni ku është ligji për privatizimin, se dëgjoj nëpër emisione. Dua të gjej të drejtën time. E kam thënë, hajde ta bëjmë sportin privat. Të gjitha këto bëhen në dëm të sportit. Për respekt të fanellës mundohem të përdor burimet e mia për të mbajtur ekipin, pasi për dy kompanitë ata nuk kthejnë përgjigje”.

PARATË – “Kemi dy kompani që financojnë. Kemi edhe një marrëdhënie që na kanë thënë se borxhet e prapambetura janë të tyret. Nuk i dua paratë, nuk më intereson çfarë ka ndodhur më parë. Këto para që kam kaluar, në biznes-planin tim nuk duhej të ishin. Nuk kërkoj lekë, kërkoj përgjigje për pagesat që bëra. Kjo histori duhet mbyllur. Është e pamundur me këto kushte që të vazhdoj me këtë sistem. Kemi ardhur këtu të rindërtojmë një ekip, pasi të jetë ndërtuar klubi së pari. Dua të bëj klub, por është e palogjikshme të vazhdohet kështu. Tani i themi stop”.

Flash Lajme