Trajneri i Milanit, Gennaro Gattuso deklaroi të dielën pas ndeshjes me Interin se, më shumë ndihej i irrituar nga grindja “e papranueshme” mes mesfushorëve Franck Kessie dhe Lucas Biglia në stolin e rezervave, sesa humbja 3-2 në “San Siro” kundër zikaltërve.

Mes 22-vjeçarit nga Bregu i Fildishtë, Kessie, dhe argjentinasit 33-vjeçar Biglia u desh të ndërhynin shokët e skuadrës, në mënyrë që t’i jepej fund dramës së shfaqur brenda dhe jashtë fushe gjatë derbit të shumëpritur të “Madonninës”, mes dy rivalëve të qytetit të Milanos.

Kessie, i cili u zëvendësua në pjesën e dytë, u irritua për diçka që tha Biglia nga pankina, e në përpjekjen e tij për t’iu kundërpërgjigjur argjentinasit u ndal nga shokët e skuadrës.

“Humbja që më lëndon më shumë ishte pikërisht rasti i Kessie dhe momenti që pashë çfarë po ndodhte në stol”, tha Gattuso, ekipi i të cilit i dha fund kështu një ecurie prej 5 fitoresh radhazi në kampionat. “Nuk mund ta pranoj atë që ndodhi, të paktën për mënyrën sesi e shoh unë futbollin, grupin dhe etikën në skuadër. Këtu duhet shfaqur respekt për cilindo, ndaj ajo që ndodhi ishte e papranueshme. Për mua është një humbje e dyfishtë, për të cilën do të them edhe unë fjalën time në ditët në vijim”, paralajmëroi Gattuso.

Por, që të dy lojtarët kërkuan falje më vonë për mediet italiane.

“Ishte çështje adrenaline dhe situata momentale e ndeshjes. U mërzita për zëvendësimin, sepse doja të jepja ende për skuadrën. U kapa me Lucasin dhe ishte gabim, ndaj kërkova falje më pas”, tha Kessie për Sky Sport Italia. Biglia ndërkohë tha se “u ndiemë realisht keq për atë skenë shqetësuese”.

Megjithatë, tensionet nuk munguan as në fushën e blertë. Mbrojtësi Andrea Conti, që zëvendësoi Kessie në minutën e 69, u ndëshkua fillimisht me karton të kuq për një ndërhyrje ndaj Lautaro Martinezit, por sistemi VAR detyroi arbitrin të ndryshonte mendim dhe ta ndëshkonte vetëm me karton të verdhë. Edhe trajneri i Interit, Luciano Spalletti e përfundoi para kohe takimin, i ndëshkuar me të kuq në minutat shtesë për mospajtim me vendimet arbitrare.

Sa i përket ndeshjes, Vecino shënoi pas vetëm 3 minutash lojë, ndërsa De Vrij dyfishoi në fillimin e pjesës së dytë, përpara se Bakayoko të shkurtonte për Milanin. Martinez do të çonte rezultatin në 1-3 me një penallti, ndërsa Musacchio do të vuloste rezultatin përfundimtar 2-3, duke mos shmangur humbjen e kuqezinjve.

Interi parakaloi sërish Milanin në renditje, me dy pikë përpara kuqezinjve, ndërsa Romën e lë në vendin e pestë me 4 pikë larg.

Flash Lajme