Ekipi shqiptar i përfaqësuar nga tre gjimnaziste që krijuan aplikacionin që u vjen në ndihmë grave që të luftojnë dhunën fitoi kupën e vendit të parë në Samitin “Technovation Girls World Pitch”.

Dea Rrozhani, Arla Hoxha dhe Jonada Shukarasi, pjesë e ekipit D3c0ders, krijuan aplikacionin “GjejZâ” dhe garuan në Technovation Challenge ku morën pjesë mbi 7200 vajza nga e gjithë bota.

“GjejZâ” (gjej zërin), ka për qëllim që t’u japë zë grave të dhunuara, dhe të sfidojë dhunën me bazë gjinore që është ende në ditët e sotme një problem shqetësues për shoqërinë.

Një urim erdhi edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë, që në mesazh shprehet: “Urime ekipit Dekoder të Këndit Amerikan në Tiranë dhe udhëheqëses së tyre Matilda Vangjeli për fitoren e kupës së vendit të parë në Samitin Technovation Girls World Pitch. Ju lumtë vajza! Ju i bëtë shqiptarët krenarë dhe treguat me të vërtetë fuqinë e vajzave”.

Vlen për t’u përmendur fakti që 9 ekipe nga Shqipëria ia dolën të hynin në garë, dhe për herë të parë skuadra me ngjyrat kuqezi ishte në finalen e madhe të San Françiskos që u zhvillua këtë të enjte.

Kjo është e para herë që Shqipëria fiton një garë të rëndësishme në fushën e teknologjisë dhe për më tepër nga një grup vajzash 16-vjeçare.

D3C0ders janë një ekip i përkushtuar në përdorimin e teknologjisë dhe programimit në nxitjen pozitive të ndryshimeve shoqërore.

Flash Lajme