Nëse jeni prej atyre që pyesni ku është vetura ime fluturuese, një kompani sllovake mund të ketë përgjigjen që keni kërkuar. Quhet AeroMobil dhe është një krijim i dizajnerit dhe inxhinierit sllovak të mjeteve të transportit dhe admiruesit të fluturimeve, Stefan Klein.


Prej mëse 20 vitesh ai ka punuar në këtë veturë fluturuese me ndihmën e investitorit Juraj Vaculik, i cili financoi krijimin e saj në 2010. Tashmë vetura është në versionin 4.0 e cila pritet të debutojë vitin e ardhshëm.
Kompania e tij ka planifikuar lansimin e AeroMobil 5.0 në 2025. Krijuar në Bratislavë, kjo veturë fluturuese me hapësirë për dy pasagjerë është 6 metra e gjatë dhe 1.6 metër e gjerë, si dhe ka një çift krahësh që hapen dhe mbyllen duke e lejuar përdorimin e saj edhe si veturë e zakonshme.Kur hapen, shtrirja e krahëve është 8.2 metër. AeroMobili, po ashtu, ka motor me djegie të brendshme dhe në tokë ecën me shpejtësi maksimale mbi 160 kilometra në orë ndërsa në ajër deri në 360 km/h.
Gjithashtu, kjo veturë gjatë fluturimit mund të mbajë peshë prej 960 kilogramë falë motorit me katër cilindra 2.0 Turbo i cili është me kapacitet prej 110 kuajfuqi në tokë dhe 300 kuajfuqi në ajër.
AeroMobil, po ashtu, me vetëm një rezervuar mund të fluturojë deri 750 km. Projekti nisi në 1990 kur Klein testoi prototipin e parë, versionin 1.0 dhe pesë vite më pas versionin 2.0. Në 2010-ën erdhën prototipi i parë funksional dhe mjeti ka kaluar nëpër testime intensive për ta certifikuar për prodhim.
Klein, po ashtu, do të jetë një prej folësve të Akademisë Kreative që do të mbahet në datat 23-24 tetor në Tiranë ku do të flasë rreth kompanisë së tij, AeroMobil dhe peripecive dhe sfidave me të cilat u përball teksa po përpiqej ta shndërronte në një realitet të prekshëm veturën e tij fluturuese./pcworldalbanian

Flash Lajme