Pas skandaleve të njëpasnjëshme në gjigandin e rrjeteve sociale “Facebook”, duket se ka ardhur koha për ndryshime themelore. Po zhvillohet në Kaliforni konferenca e përvitshme, e cila pritet të zgjasë deri ditën e nesërme.

Por në konferencën e këtij viti “Facebook F8” në San Jose është dhënë edhe lajmi i madhe se gjigandi i rrjeteve sociale do të sjell përditësime në aplikacionet “Facebook”, “Instagram”, “WhatsApp” dhe “Messenger”.

“Admiruesi Sekret” do të jetë një risi e “Facebook” përmes të cilës ju do të mund të zgjidhni 9 miq që keni fiksim dhe nëse ndonjë prej tyre ju zgjedh gjithashtu, ju do të merrni një njoftim. Nëse dashuria juaj është e pakërkuar, personi tjetër nuk do ta zbulojë kurrë.

Pamja e gjigandit të rrjeteve sociale do të ndryshojë tërësisht, tanimë ai nuk do të jetë thjesht blu, e cila vijon të jetë e pandyshuar që prej shkurtit të 2004-s. Versioni i ri, i cili u prezantua sot gajtë konferencës në Kaliforni do shfaqet në javët në vazhdim për gjithë pjesën tjetër të globit.

Në rrjetin social “Instagram” fokusi është sërish te “Stories”. Ky alternative e rrjetit të fotove ka çdo ditë mbi 500 milionë përdorues dhe tani me përditësimin e ri ju do të mund të mblidhni fonde për bamirësi.

“Instagram” do të fsheh numrin e pëlqimeve nga ndjekësit në një testim për të parë nëse do ndiheni më pak të tmerruar dhe për t’i kushtuar më tepër vëmendje përmbajtjes sesa numrit të pëlqimeve. Kjo risi e “pëlqimeve private” do të nisë në Kanada tek disa përdorues gjatë kësaj jave.

Messenger tani do ta gjeni edhe si një program për kompjuterat Windoës dhe Mac, por në bisedat mes miqve në grup tani në kohë reale mund të shikoni edhe video, apo të dëgjoni këngën tuaj të preferuar.

“Privatësia na jep ne lirinë për të qenë vetvetja. Kështu që nuk është surprizuese që mënyra më e shpejtë për të komunikuar online është përmes grupeve të vogla, kjo është arsyeja pse unë besoj që e ardhmja është private. E di që shumë njerëz nuk janë të sigurtë se ne e kemi seriozisht, e di edhe që nuk kemi reputacionin më të mirë në privatësi tani”, tha Zuckerberg.