Intervista për një punë të re është e sikletshme dhe emocionuese.

Praktikisht ke disa minuta kohë që të flasësh për veten, atë që do dhe të ofrosh përvojën tënde në një punë të re.

Ndonëse nuk ka një çelës magjik që të hap çdo derë drejt një punë të re, ekspertët  thonë se njeriu i ka vetë në dorë disa aspekte të rëndësishme të intervistës për një punë, që mund të atribuojnë në një përgjigje pozitive.

Për shembull, përpara intervistës, ju duhet të zbuloni dhe të informoheni shumë mirë për kompaninë dhe shërbimet që ofron.

Mirësjellja është e rëndësishme por edhe ardhja në orar ose 10-15 minuta para intervistës janë thelbësore për të qetësuar emocionet dhe për tu përgatitur.

Megjithatë, ka edhe truke të tjera që do ju bëjnë të keni një paraqitje më të mirë.

Kodi i Veshjes

“Sipas vendit bëhet kuvendi” thotë një shprehje popullore. Ajo vlen edhe për veshjen.

Nëse keni aplikuar për një vend pune ku kodi i veshjes është zyrtar, atëherë edhe ju duhet të visheni ashtu. Një shembull mund të jetë një kostum dhe këmishë të bardhë.

Edhe nëse vendi ku keni aplikuar ka një kod veshje jo formal, ju sërish duhet t’i përmbaheni stilit zyrtar të veshjes për biznes.

Shmangni bluzat me vizatime, ngjyra të forta, xhinse të rrjepura e jo serioze.

E fundit por jo nga rëndësia, sigurohuqë rrobat tuaja të mos kenë njolla e shenja papastërtie

Sa i përket aromave, sigurohu që të keni parfumin e duhur, jo të fortë apo mbytës, aq sa t’i japë shefit të ardhshëm një dhimbje të fortë koke.

Mos Kini Drojë

Kontakti sy më sy është një nga mënyrat më të mira për të treguar vetëbesim.

Të jemi të qartë, kontakti sy më sy është tjetër dhe ngulitja e syve është tjetër.

Kini kujdes kur shikoni nga ora, dritarja apo dera. Do të jepni përshtypjen se jeni të mërzitur e nuk keni aspak dëshirë të jeni aty.

Qëndrimi i Duhur

Gjatë intervistës sigurohuni që të mbani qëndrimin e duhur dhe të drejtë.

Nëse qëndroni drejt dhe jo me shpinë të harkuar, do të jepni përshtypjen e një njeriu të shëndetshëm që e ka veten nën kontroll.

Kujdes Me Gjuhën e Trupit

Gjatë intervistës jini të vëmendshëm ndaj mënyrës se si intervistuesi qëndron dhe lëviz por edhe ndaj gjesteve që bën.

Nëse reflektoni ato gjeste dhe lëvizje , aq më vetbesim do të pasqyroni tek tjetri.

Ky reflektim në fakt është një truk psikologjik që në subkoshiencë e bën intervistuesin të mendojë se jeni në sinkron.

Sidoqoftë nuk duhet ta teproni me gjestet dhe lëvizjet sepse mund të ketë ndikim të gabuar.

Intervista

Kur intervistuesi të nisë më pyetjet, mos nxitoni të përgjigjeni menjëherë.

Ndaloni përpara se të flisni dhe përpiloni përgjigjen e duhur.

Shmangni pauzat e gjata, “ë-të” e tepërta, fjalët “se di” “s’po më vjen tani” e të tjera këto që janë ujëra të tepërta në një fjali e cila duhet të jetë konçize.

Përgjigjet tuaja duhet të jenë të qarta, të shkurtra dhe preçize.

Mos flisni për jetën, besimin, aktivitetet e preferuara të tjera aspekte të jetës personale, nëse intervistuesi nuk ju pyet për to specifikisht.

Nëse nuk e kuptoni një pyetje është më mirë të kërkoni përsëritjen e saj se të jepni një përgjigje kot e më kot.

Për shembull, për t’i dhënë kohë vetes për tu përgjigjur mund ta përsërisni pyetjen me diçka të tipit : “ nëse e kuptova drejt..”

Jini Pozitivë

Me shumë gjasë, intervistuesi do ju pyesë për eksperiencën dhe punën e mëparshme.

Është shumë e rëndësishme që të mos flisni keq për përvojën tuaj, për ekipin dhe mbi të gjitha për shefin.

Nëse keni një eksperiencë të keqe mund ta prezantoni atë si një eksperiencë nga e cila keni mësuar më shumë se si të bëheni punëmarrës më të mirë.


Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All